Dy standardet e prokurorisë për 30 milionë eurot e Unazës dhe për byzylykët e burgjeve

Nëse ka rast më flagrant dhe të kapur mat publikisht, mbetet ai i kompanisë “DH Albania”, ku qeveria i dha plot 30 milionë euro tenderim, nga ku 18 milionë ishin pjesë e Unazës së Re dhe 12 milionë euro për te OST. Sikur të mos ishte media investiguese ato 30 milionë euro tashmë do ishin te arka e kompanisë fantazëm e cila me letra fallso mori nga strukturat shtetrore tenderin nga buxheti i shtetit shqiptar. Nëse do kishim drejtësi të pavarur që natën e publikimit të dokumentave fallso të kompanisë fituese duhej që prokuroria të kishte firmosur fletë arrestet e nëpër Tiranë furgonat me sirena të ishin duke arrestuar krejt përgjegjsit e kësaj vjedhje gjigande prej 30 milionë euro. Por jo vetëm atë natë, por edhe tani pas disa javëve asgjë nuk ka ndodhur. Asnjë i arrestuar, por janë mjaftuar vetëm me administratorin, që edhe ai nuk gjendet nga policia e prokuroria.

Është thënë se kryeministri e mori organin e prokurorisë nën varësi, por të arrihej deri këtu ku për 30 milionë euro të mos bëhet asnjë arrestim, ndërkohë që kanë filluar të hapin letrat e një tenderi të para shumë vitëve për byzylykët e të burgosurve, tenderim kryer nga varësia e ministrisë së drejtësisë. Natyrisht që gjithçka e paligjshme duhet hetuar, sepse asnjë politikan apo forcë politike nuk ka pse mbrohet nga imuniteti. Në rastin e ministrisë së drejtësisë po rihapin një dosje e cila ishte mbyllur, ndonëse e përsërisim se para drejtësisë nuk ka asnjë imunitet. Por të bën përshtypje se prokuoria ka hyrë pa asnjë rezervë në lojën politike të ditës, duke lëshuar sms mediave proqeveritare se po hetohen ish-ministrat e drejtësisë së LSI, Ylli Manjani dhe Petrit Vasili. Sido ta rrotullosh mënyrën se si keqpërdoret organi i akuzës nuk gjen dot asnjë justifikim se si ka mundësi kaq hapur dhe hapur politikisht përdoret prokuroria prej kryeministrit Rama.

Që kjo është një lojë politike dhe hakmarrëse e kryeministrit, nuk ka asnjë nevojë për të investiguar. Ylli Manjani dhe Petrit Vasili janë dy kritikët më të mëdhenjë të Edi Ramës. Futja në punë e prokurorisë për të bërë zhurmë publikisht se gjoja po bën hetime dhe se po dalin “gjëra të mëdha” (!), realisht ka krijuar një përshtypje negative në publik sepse për 30 milionë euro prokuroria hesht, pasi janë njerëzit e kryeministrit pas tenderimit, kurse për dy ish-ministrat e LSI (dhe që nuk ka për të dalë asgjë), po bëjnë namin në media dhe po firmosin arrestime.

Nëse prokuroria do ta kishte mbushur furgonin e policisë me të arrestuar VIP për 30 milionë euro vjedhje e dokumentuar, edhe publikisht, atëhere mund të thonim se “merreni edhe këta ish-ministrat”, që gjithsesi nuk kanë asnjë shkelje. Dhe këtu do të jemi, asgjë nuk do të dalë nga tenderimi për byzylykët tregues të të burgosurve.

Kur ke përballë 30 milionë euro dhe 500 mijë euro, çdo njeri me mend do të mbaronte punë njëherë me këta të 30 milionshit, duke mos harruar edhe 500!

S.P.