Skandali me blerjen e votave, Paloka: “Kazani” e plasi bombën e radhës

Pas denoncimit të bërë nga Zëri i Amerikës lidhur me përgjimet që zbulojnë përfshirjen e bandave kriminale në blerjen e votave në Durrës dhe në rrethe të tjera të vendit, ka reaguar edhe Partia Demokratike.

Deputeti i kësaj partie, Edi Paloka me anë të një postimi në facebook shkruan se “Kazani” e plasi bombën e radhës.

Sipas tij, qeveria e Ramës është ilegjitime dhe se ka ardhur koha që shqiptarët t’i dëgjojnë edhe njëherë të vërtetat si dikur nga Zëri i Amerikës.

““Kazani” e plasi dhe bombën e radhës. Qeveria Rama është ilegjitime. Erdhi koha dhe një herë si një herë që shqiptarët t’i dëgjojnë të vërtetat nga ZËRI I AMERIKËS”– tha Paloka.

Dhe pak minuta më pas, Paloka komenton dhe lajmin e shpërndarë sot në media për një telefonatë të Ramës me Uashingtonin.

“Rama sot lëshoi në media lajmin se priste një telefonatë të rëndësishme nga SHBA… Të ketë pasur lidhje me Dosjen 339 të sapo transmetuar nga Zëri i Amerikës? “Kazani” ku po vlojnë Ramën”- shprehet nënkryetari i demokratëve, Edi Paloka.