Mbledhja për Tahirin, Paloka: Kërkojmë hetimin e lidhjeve të Qeverisë me krimin

Partia Demokratike vazhdon të këmbëngulë për çështjen “Tahiri” në Kuvend. Nënkryetari i PD-së, njëherazi dhe nënkryetar i Parlamentit Edi Paloka ka bërë një kërkesë për mbledhjen që u mbajt sot të Konferencës së Kryetarëve në lidhje me zgjatjen e afatit të komisionit hetimor për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes, Paloka tha se PD kërkon shtyrje të afatit të komisionit dhe të mbajnë përgjegjësi ata që nuk i janë përgjigjur kërkesave të komisionit; Ministri i Brendshëm dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit që nuk kanë sjellë informacion për Saimir Tahirin. Kërkesa për zgjatjen e komisionit hetimor është bërë nga PD që në nisje të komisionit hetimor për ish-ministrin e Brendshëm.

Por për Palokën, ky komision ka marrë emrin e saimir Tahirit, por ne si opozitë duam që të hetohen lidhjet e qeverisë me drogën dhe krimin.

Prononcimi i plotë i Edi Palokës

Paloka: Janë të shqetësuar se paskan kaluar ca orë, nga koha kur ne duhet të kishim bërë kërkesën për shtyrjen e komisionit. Megjithëatë ne jemi të vendosur: do ta ribëjmë kërkesën, komisioni do të ringrihet, dhe kësaj pune do t’i shkojmë deri në fund, sado të përpiqen ta pengojnë. Sepse, kuptohet, ka vetëm një qëllim edhe pse z. Ruçi sot iu tërhoqi vërejtje formalisht institucioneve dhe iu drejtua të deleguarës së radhës, znj. Spiropali që të ketë kujdes që institucionet të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet dhe t’i përgjigjen Parlamentit. Jam i bindur se kjo histori do të vazhdojë kështu, sepse nuk mundet as Rama, e askush tjetër të vetëdemaskohen për lidhjet që tashmë në fakt janë publike dhe i di kushdo, që kjo qeveri ka direkt me krimin, dhe sidomos me trafikun e drogës gjatë kohës që Ministrinë e Brendshme e drejtonte Saimir Tahiri.

Kur do ta depozitoni kërkesën?

Paloka: Kërkesën do ta dorëzojmë në momentin më të parë që do të përgatitet.

Bojkoti juaj mendoni se ka ndikuar në zvarritjen e punës së komisionit? Mban PD-ja ndonjë peshë për këtë?

Paloka: Bëtë një pyetje që e përdori edhe mazhoranca aty si argument, por unë nuk e di se si mund të ketë lidhje përgjegjësia ligjore e institucioneve për t’iu përgjigjur komisionit hetimor, me faktin jemi ne apo s’jemi në Parlament. nëse do të kishin ardhur dokumentet dhe ne nuk do të ishim marrë me atom, atëherë sigurisht që kjo do të ishte përgjegjësia jonë. Por përderisa ata nuk i janë përgjigjur kërkesave të komisionit, si mund të ketë përgjegjësi opozita?! Pse zbatimi i ligjit nga Ministria e Brendshme varet nga fakti është apo jo opozita në Parlament.

A është e tejkaluar nevoja për një komision hetimor për çështjen “Tahiri” duke qenë se kjo është e tejkaluar tashmë? Pse do të investoheni për Tahirin, kur mund të investoheni në shumë çështje të tjera?

Paloka: Ky komision ka marrë emrin “Tahiri” në fakt, por ky komision merret me heti8min e lidhjeve të Qeverisë, nga Edi Rama deri tek Taulant Balla. Sepse në rreshtin e të akuzuarve, pavarësisht se fitoi një gjyq për shpifje, dhe kjo është një cëcshtje tjetër pastaj se si një organ gjyqësor jep një vendim për një çështje që është akoma në hetim. Pra është një varg, nuk është vetëm Saimir Tahiri. Komisioni ka marrë emrin e Tahirit, sepse ai ishte në qendër të hetimit, por janë çështje që nuk janë mbyllur. Lidhjet e kësaj qeverie me krimin vazhdojnë të jenë problem madhor sot për Shqipërinë. Dhe sigurisht, lidhen edhe me të gjithë qëndrimet që ne do të mbajmë. Pra çështja e komisionit është lidhja e krimit me Qeverinë dhe trafikut të drogës. Pra lidhet me fenomenin dhe sigurisht pastaj lidhjet me emrat që kanë qenë dhe janë sot në Qeveri.

/ H. M – Koha Jonë