Qeveria shpik zgjidhje për studentët “mësimdashës”, do bëjnë mësim në gjimnaz

Fakulteti i Drejtësisë do të nisë mësimin ditën e nesërme në ambiente të tjera. Mësohet se procesi mësimor do të zhvillohet pasdite në një nga gjimnazet e Tiranës.

Ky vendim vjen pas kërkesës së dekanit të fakultetit Artan Hoxha drejtuar Ministrisë për rifillimin e mësimit, dekani Hoxha i çoi një kërkesë ministrisë së Arsimit për t’i mundësuar ambiente për të zhvilluar mësimin.

Kjo pasi një grup studentësh janë ngujuar në universitet dhe nuk lejojnë studentët e tjerë të hyjnë në auditore, duke këmbëngulur në plotësimin e kërkesave të tyre minimaliste nga ana e qeverisë. Ndërkaq kjo e fundit vijon me mekanizmat e saj të përçajë revoltën e të rinjve, ku hapi i radhës mesa duket është teknika e mësimit në ambiente të tjera, duke i veçuar studentët protestues si planprishësit e vitit akademik.

Por teksa mendon të ofrojë zgjidhje alternative për rifillimin e mësimit në auditore dhe shmangien e përballjes publike me ta, Qeveria duket e pashqetësuar për plotësimin e kërkesave të studentëve.

Tensionet tek Drejtësia

Ka pasur momente tensioni mëngjesin e djeshëm tek Fakulteti i Drejtësisë në të cilin një grup studentësh janë ngujuar prej ditësh aty. Për shkak të këtyre tensioneve një studente nuk është ndjerë mirë dhe për këtë është përcjellë më ambulancë drejt spitalit. Studentët nuk kanë lejuar që të filmohej shoqërimi i saj për tek ambulanca. Konflikti ka nisur pasi disa studentë që pretendonin se donin të bënin mësim janë përplasur me studentët e ngujuar. Grupi i studentëve që kërkojnë të bëjnë mësim kanë hequr karriget nga dera e fakultetit, çka ka sjellë revoltën e studentëve të ngujuar. Sipas deklaratave të studentëve të ngujuar, “pala” tjetër ka tentuar të hyjnë me dhunë në auditore, madje kanë thyer dhe një xham. Për shkak të përplasjeve fizike, një nga studentet e ngujuara nuk është ndjerë mirë, ndaj dhe është transportuar me ambulancë drejt urgjencës. Debatet kanë përfunduar edhe në përplasje fizike ku një studente shprehet për Fax Neës se është dhunuar nga një djalë që nuk e njihte. Ajo ka deklaruar se të hënën u ishte thënë se do të zhvillohej mësimi, ndaj kanë tentuar të hiqnin karriget dhe të futeshin në mësim. “Një djalë që është ngujuar dhe nuk e di a është student i këtij fakulteti më ka goditur në fytyrë. Këtë çështje do ta ndjek nëpërmjet avokatit”, u shpreh studentja. Ndërkohë, policia private nuk ka ndërhyrë gjatë tensioneve mes dy grupeve të studentëve, ku pas tensioneve situata është normalizuar.

Reagimi i Dekanit

Dekani i Fakultetit Juridik, Artan Hoxha i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ku kërkon ambiente të reja për zhvillimin e procesit mësimor. Kërkesa e Dekanit vjen në një kohë kur një pjesë e studentëve vijojnë ngujimin në ambientet e këtij fakulteti në shenjë proteste për plotësimin e kërkesave të tyre dhe nuk lejojnë pjesën tjetër të zhvillojë procesin mësimor ne auditore. “Duam ambiente të tjera për të bërë mësim, pasi këtë e kërkon shumica e studentëve. Ambientet tona ne i kemi të bllokuara për shkak të ngujimit të një pjese studentësh.”- thotë ndër të tjera dekani i Juridikut në kërkesën e tij.

/ H. M – Koha Jonë