Braimllari: Skandal me kartat e identitetit, moshat e treta presin në radhë

Edhe këtë të martë deputetë të opozitës kanë marrë pjesë në Komisionet Parlamentare. Në Komisionin e Sigurisë ku raportoi zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda, deputeti i LSI-së, njëherësh edhe Sekretar i Përgjithshëm i kësaj force, Endrit Braimllari ju drejtua për çështjen e kartave të identitetit, për të cilën tha se qeveria është e papërgatitur dhe se njerëzit presin në radhë.

”Shqetësim për qytetarët është pajisja me karte identiteti, po vonohet procesi në këtë drejtim. Qeveria e papërgatitur. Nuk ka asnjë strategji kjo qeveri për këtë çështje, njerëzit presin në radhë për t’u pajisur me kartë identiteti”,-tha Braimllari.

Duke ju drejtuar znj.Voda si zv/ministre e Brendshme, deputeti i LSI-së, shtoi më tej se Ministria duhet të kishte marrë masa, duke hapur zyra të reja dhe që të lehtësonin këtë proces për moshat e treta.

”Pse nuk mori masa Ministria e Brendshme për këtë proces më përpara, nuk shohim të hapen zyra të reja për të lehtësuar këtë proces, i cili është jashtëzakonisht i vështirë kryesisht për moshën e tretë, të cilët presim në radhë dhe nuk mund të pajisen me kartë identiteti”.

Në fund ai tha se qeveria nuk është e fokusuar tek interesi publik. ”Kjo qeveri duhet të kishte marrë masa më parë por kjo tregon qartë që qeveria nuk fokusohet tek interesi publik”.

R.SH /Koha Jonë/