Frontex në Shqipëri, Braimllari: Rama i ka vënë kufijtë në shërbim të terrorizmit

Opozita ka qenë e pranishme në disa komisione parlamentare këtë të hënë, duke thyer kështu bojkotin e vendosur prej disa muajsh. Në Komisionin e Sigurisë, deputeti i LSI-së, njëherësh edhe Sekretar i Përgjithshëm i kësaj force politike, Endrit Braimllari, gjatë debatit me zv/ministren e Brendshme, Rovena Voda, ngriti shqetësimin e vendosjes së forcës ”Frontex ( Agjencia Europiane e Kufirit dhe Rojes Bregdetare) në Shqipëri.

Sipas tij, kjo ka ardhur pasi Kryeministri Edi Rama i ka vënë kufinjtë në shërbim të terrorizmit. Nga ana tjetër, ai ka kërkuar transparencë për këtë marrëveshje, pasi për të kjo e kthen Shqipërinë në portë hyrëse të refugjatëve.

”A e kthen kjo marrëveshje Shqipërinë në portë kryesore të hyrjes dhe pritjes së refugjatëve në vendin tonë. Duhet të ketë transparencë mbi këtë marrëveshje në këtë drejtim. Sepse kjo marrëveshje bëhet për tjetër gjë, bëhet për të siguruar kufijtë shqiptarë nga trafiku i drogës dhe terrorizmit. Sepse në këtë gjendje e keni kthyer ju vendin”.

Shqetësimi i deputetit të LSI-së, vjen pas sulme terroriste të muajve të fundit në vende të BE-së, ku grupe terroristësh maskoheshin si refugjatë për të përfituar nga kalimi pa shumë kontrolle në kufi.

R.SH /Koha Jonë/

Pjesë nga deklarata

Frontex po vjen në Shqipëri sepse Edi Rama i ka vënë kufijtë në shërbim të krimit të organizuar dhe Terrorizmit. Kjo marrëveshje po behët nga Bashkimi Europian për të siguruar kufijtë shqiptarë sepse kjo qeveri i ka vënë në shërbim të krimit dhe Terrorizmit.

Keni shkatërruar sigurinë e kufijve. I vutë radarët që monitorojnë pikat tona kufitare në shërbim të krimit të organizuar. Implikuat gjithë shtetin në përkrahje të krimit dhe këtë e keni të vërtetuar nga përgjimet e partnerëve. E bëtë me qëllim që të favorizonit krimin e organizuar.

Ky kryeministër ka eksportuar destabilitet për Rajonin dhe Europën. Mbushët Europën me drogë dhe e kthyet Shqipërinë në pikën kryesore të kalimit të kokainës dhe heroinës dhe kjo e gjitha me përkrahje shtetërore e vërtetuar nga përgjimet e antimafias.

Duhet të ketë transparencë mbi këtë marrëveshje në këtë drejtim. Sepse kjo marrëveshje bëhet për tjetër gjë, bëhet për të siguruar kufijtë shqiptarë nga trafiku i drogës dhe terrorizmit. Në këtë gjendje e keni kthyer ju vendin.