Ronaldo poston foto nga avioni, përballet me kritika nga ish-futbollisti

Teksa priteshin me ankth lajme për Emiliano Salanë, futbollistin e zhdukur prej të hënës në mbrëmje, Ronaldo postoi një foto nga avioni i tij personal dhe tejet luksoz. Të shumtë ishin komentuesit që lëshuan kritika ndaj Ronaldos, një ndër ta ishte dhe ish futbollisti anglez, Gary Lineker.

“Nuk është dita e duhur për këtë postim. Vërtet nuk është”, shkroi ai duke ripostuar foton e Ronaldos.

Futbollisti, Emiliano Sala humbi gjurmët teksa ishte rrugës për të takuar kolegët e tij të rinj të Cardiff City. Lidhjet mes radarit dhe avionit tip “Piper Malibu” ku gjendej futbollisti u ndërprenë të hënën në mbrëmje, rreth orës 20:30. Aeroplani fluturonte mbi Kanalin Anglez pranë farit të Casquets. Në bordin e Piper Malibu dyshohet se ishte vetëm sulmuesi 28-vjeçar dhe piloti.

Policia e Guernseyt gjeti disa objekte që lundronin mbi ujë, mirëpo nuk ka arritur të konfirmojë nëse janë nga aeroplani ku ndodhej futbollisti.