Problemet financiare, Qarri letër të hapur kryebashkiakut të Kamzës

Kamza ka probleme financiare, sidomos këtë sezon. Kështu, presidenti i skuadrës, Naim Qarri vijon ankesat ndaj kryebashkiakut Xhelal Mziu. Institucioni që drejton Mziu ka 49 % të aksioneve të klubit të futbollit, por sipas Qarrit nuk po përgjigjet financiarisht, prandaj ky i fundit ka bërë një letër publike.

“Të nderuar qytetarë të Kamzës dhe të gjithë Shqipërisë! Gjithashtu, i nderuar opinion i gjerë sportiv! Po ju drejtohem me këtë letër të hapur për të shpjeguar pozicionin tim te skuadra e Kamzës, që aktualisht, për hir të së vërtetës, ndodhet në një moment të vështirë. Në vijim do t’ju shpjegoj në mënyrë të detajuar problemet e skuadrës sonë, që nuk duhet të qëndrojnë më të maskuara. Klubi ynë është një shoqëri aksionare, ku aksionet janë të ndara kështu: 51% i disponon firma “Qarri02 shpk” dhe 49% i disponon Bashkia e Kamzës. Për të qenë transparent me të gjithë ju, ka gati 11 vite që e financoj skuadrën me paratë e familjes sime. Ndërkohë, këtë sezon futbollistik, 2018-2019, Bashkisë e Kamzës nuk ka plotësuar detyrimet financiare, që ligji përcakton qartë, në bazë të 49% të aksioneve që ky insitucion zotëron. Kam lexuar pak kohë më parë kryetarin e kësaj bashkie në media, që akuzonte personin tim se nuk kisha asnjë lloj projekti me skuadrën. Në bazë të dokumentacioneve të vulosura dhe firmosura nga unë, sipas bilanceve të financierëve tanë, në muajin dhjetor 2018, është dorëzuar pranë bashkisë, pas kërkesës së këtij insitucioni, transpareca financiare. 

“Pas kësaj situate kam marrë një premtim nga vetë kryetari i Bashkisë së Kamzës se bashkëpunimi do të rinisë dhe pushteti lokal do të ishte garant nga muaji janar 2019 e në vazhdim. Por, në këtë moment që po flasim, investimet e bashkisë janë zero, madje ajo ka bërë prapakthehu, duke mos garantuar asgjë. Gjej rastin t’i bëj thirrje këtij institucioni, që të mbështesë ekipin, jo Naim Qarrin. Këtë kerkesë e bëj jo nga dëshira personale, por në bazë të dokumentacioneve dhe detyrimeve financiare, që aksionari tjetër 49% ka ndaj skuadrës, por dhe qytetarëve kamzalinj, të cilët paguajnë taksa dhe detyrime ndaj bashkisë. Ata nuk e meritojnë hezitimin për përkrahje të skuadrës së qytetit. Në të kundërt, pas konsultimeve që do të kem edhe me juristët e klubit, do të kërkoj nga bashkia të heqë dorë nga 49% i aksioneve që disponon dhe 100% të aksioneve të kalojnë te firma “Qarri02 shpk”. Ndërkohë, futbollistëve të mi, pavarësisht se jam lënë në rrugë nga Bashkia e Kamzës, iu premtoj se çdo detyrim do të likujdohet, me apo pa pushtetin lokal në krah.”-shkruhet në letrën e bërë publike nga presidenti Qarri.