Presidenti: Kushtetuta njeh përgjegjës për Ministrinë e Jashtme Edi Ramën

Presidenti Ilir Meta ka komentuar sot kalimin e kompetencave të ministrisë së Jashtme nga Edi Rama, te zëvendësministri Genti Cakaj. I pyetur nga mediat, gjatë një ceremonie në qytetin e Kamzës, Presidenti Ilir Meta u shpreh se pavarësisht organizimit të brendshëm të qeverisë, Presidenti i Republikës ja ka deleguar autoritetin kushtetues të kreut të diplomacisë, Edi Ramës.
Kreu i shtetit u shpreh se “unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë’.
Ditën e sotme, në ambientet e Ministrisë së Jashtme, kreu i qeverisë, Edi Rama prezantoi Gent Cakaj si zyrtarin që do të merret me çështjet e diplomacisë së shtetit shqiptar. Unë në funksionin tim si ministër i Jashtëm i delegoj zotit Gent Cakaj drejtimin e kësaj ministrie dhe përfaqësimin në institucionet ndërkombëtare”, u shpreh Rama.
Kandidatura e Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm shkaktoi përplasje në distancë dhe prodhoi deklarata të forta mes Ramës dhe Metës, pasi nga Presidenti refuzoi që ta dekretonte.

Me këtë qëndrim, Presidenti Ilir Meta ka lënë të kuptohet se pavarësisht lëvizjeve të brendshme që Edi Rama bën në kabinetin e tij, institucioni i Presidencës do të komunikojë për çështjet e diplomacisë me presonin që ka dekretuar për këtë post, Edi Ramën, dhe jo me zyrtarët e nivelit më të ulët që Rama zgjedh personalisht për ta zëvendësuar.

Prononcimi i Presidentit Meta në Kamëz

Pyetje: Zoti President, cili është komenti juaj lidhur me vendimin e kryeministrit Rama për delegimin e kompetencave të tij si ministër i Jashtëm tek zv/ministri që ju nuk e dekretuat, z.Cakaj?
Presidenti Meta: Presidenti nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive.
Unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë.

VIDEO/Prononcimi i Presidentit Ilir Meta