Mehmetaj: Protesta masive për largimin e një Kryeministri të papërgjegjshëm

Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj në një intervistë në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, u shpreh se protestat e opozitës do jenë masive dhe të forta, si e vetmja mënyrë për largimin e një Kryeministri të papërgjegjshëm.

Intervista

Një 2019 në të cilën keni paralajmëruar se do të nisni protestat shumë shpejt. Në fakt jemi në një vit elektoral, 30 qershori është data e dekretuar nga Presidenti. Në këndvështrimin tuaj pse është momenti për protesta, kur jeni rikthyer ndërkohë edhe në Parlament?

Në fakt qëndrimi që opozita e bashkuar ka mbajtur ka qenë shumë i qartë. Nëse deri më tani kanë qenë qytetarët sipas komuniteteve që ata përfaqësonin apo bëjnë pjesë, kanë qenë duke protestuar. Siç është rasti i studentëve që sot mos gaboj bëhet dita e 48 e protestës së tyre. Edhe pse kanë ndryshuar formën në mënyrë të herë pas hershme ata vazhdojnë të jenë qëndrestarë, edhe të bashkuar, por edhe me një qëllim të përbashkët në kauzën e tyre. Nga ana tjetër kemi protestën e Unazës së Re, e cila ka kaluar ndoshta ditën e 80 të saj. Kemi në mënyrë paralele protestën e qytetarëve që ndodh tek Teatri Kombëtar dhe pse në grupe të vogla.

Por jo vetëm kaq. Në të gjithë Shqipërinë janë grupe interesi, të cilat në mënyrë të vazhdueshme protestojnë, sepse situata në Shqipëri është e tillë që jeta e qytetarëve është vështirësuar. Largimet janë masive dhe ndërkohë nuk po gjejnë zgjidhje nga qeveria e tyre. Përkundrazi qeveria vazhdon të ndërmarrë aksione që dëmtojnë jetën e tyre, qoftë nga pikëpamja ekonomike, qoftë nga pikëpamja shoqërore dhe shëndetësore. Qoftë nga stabiliteti i vendit në raport me vetveten, por edhe në raport me Rajonin. Dhe në këtë kuptim, qëndrimi që opozita ka mbajtur është që nëse deri më sot opozita ka qenë suportuese e protestave të qytetarëve, tashmë ajo do të jetë udhëheqëse e tyre, sepse një revoltë kaq të madhe popullore ne nuk mund ta lëmë pa përfaqësimin e duhur politik. Sepse fundja kjo është detyra jonë kryesore.

Do të jetë një protestë e vetme, do të jenë disa protesta? Do të ketë një grevë? Si është menduar të organizohet dhe kur do të jetë data, sepse mediat flisnin për mesin e shkurtit?

Protesta do të jetë në shumë dimensione. Ne kemi vendosur që kudo të jemi pjesëmarrës dhe të reagojmë. Përfaqësimi i qytetarëve është detyra jonë kryesore. Dhe nëse reagimi ynë qoftë në një pozicion të caktuar brenda Parlamentit apo brenda  Komisioneve, e bën Kryeministrin dhe Qeverinë e tij të reagojë dhe të gabojë duke dalë më hapur në sytë e qytetarëve. Nga ana tjetër dhe protestat masive, revoltat popullore. Daljet masive të qytetarëve në rrugë përballë Kryeministrisë, është një raport tjetër.

Ne jemi në një lëvizje në të gjithë Shqipërinë. Jo vetëm ne por bashkë me ne dhe Partia Demokratike, dhe partitë e tjera opozitare, duke kontaktuar jo vetëm votuesit tanë, sepse këtë e bëjmë në mënyrë të vazhdueshme, por mbi të gjitha qytetarët dhe grupet e interesit. Dhe së bashku jemi duke hartuar një axhendë, por që unë e besoj që ndër të tjera do të jetë spontane në kuptimin që vetë protestat po sjellin ngjarjet. Dhe ndoshta një planifikim shumë i thellë i opozitës kur nuk është fryma apo nuk është krijuar momenti i duhur, rezulton në një aksion pa produkt. Por kur i gjithë qyteti apo të gjithë qytetarët të ftojnë dhe nxisin frymën që jep produkt, edhe një protestë ndoshta jo e menduar në detajet e saj do të japë produktin e duhur.

Por ajo që mund t’iu them është që kontakti me qytetarët është shumë i madh. Presim që mesi i shkurtit pa caktuar një datë fikse . Do të jetë dhe një protestë masive për të vazhduar më pas me gjithë të tjerat.

Kryetarja e LSI e ka shprehur qartë synimin për të pasur në një datë zgjedhje vendore dhe zgjedhje të parakohshme. Synoni që me protesta të provokoni zgjedhje të parakohshme?

Gjatë kësaj kohe ne i kemi bërë vendit një analizë në të cilën ai ndodhet. Së pari se çfarë ndodh me paratë publike në një kohë kur taksat janë rritur, ndërkohë që papunësia paralelisht është rritur dhe të ardhurat e qytetarëve janë ulur. Si rrjedhojë shtetit duhet të ishte në shërbim të tyre. Përkundrazi i gjithë aparati shtetëror është vendosur në shërbim të Kryeministrit. Dhe kjo duket qartazi. Tashmë e parë me prova dhe nga qytetarët. Me koncesione korruptive, PPP korruptim, koncesionet që mund ti numërojmë, koncesione në rrugë, në shëndetësi. Unaza e Re është demaskimi më i madh që ndodhi me një vjedhje flagrante prej 40 milionë eurosh. Po ashtu të gjitha taksat që ne paguajmë nuk përkthehen në shërbime. Arsimi po arrin në degradimin e tij. Dhe kjo u pa fare qartë nga protesta e jashtëzakonshme e studentëve, mbështetur tani dhe nga gjithë klasa e profesorëve dhe  pedagogët. Nga ana tjetër shërbimi shëndetësor te qytetarët vjen i munguar, mungojnë barnat, mungon rimbursimi, mungojnë mjekë të specializuar nëpër qytete që tu shërbejnë qytetarëve e kështu me radhë. Ka një arsye pse e gjithë kjo ndodh. Sepse në krye të qeverisë kemi një kryeministër i cili është i papërgjegjshëm dhe i pa zotë. Dhe herë pas herë bëhet edhe qesharak në sytë e publikut. Për tu shërbyer qytetarëve të tij. Dhe për të kuruar sëmundjen, padyshim duhet të ndërhysh atje ku e sheh problemin kryesor. Dhe ne themi që Shqipëria të ketë shansin për tu kthyer në një shtëpi të shqiptarëve ashtu si do të duhej të ishte. E para gjë që duhet të ndodhte është largimi i Edi Ramës. Dhe protestat kanë këtë qëllim, largimin e Edi Ramës.

Pra në fokus të protestave është thjesht largimi i Edi Ramës?

E thënë kështu duket sikur dëshira e opozitës është për të larguar dikë nga karrigia dhe për të ardhur në pushtet. Nuk është  ky qëllimi ynë. Qëllimi ynë është largimi i Edi Ramës, opsionet do të hapen pastaj, mund të jetë mundësia e krijimit të një qeverie teknike,  një qeverie me bazë të gjerë, të zgjedhjeve të parakohshme. Ky është një moment që palët do të  ulen në tryezë dhe do të diskutojnë. Ne nuk kemi synim fare të kërkojmë pushtetin në tavolinë. Aq më pak LSI, që e kishte këtë pushtet dhe e la sepse e kuptoi që është e pamundur që vendi të drejtohet mirë nga një person i cili ndër të tjera, ka nevojë për kontrolle të vazhdueshme mjekësore, se nuk është në gjendje as të logjikojë drejt. Pra e thënë në këtë kuptim synimi ynë është të heqim këtë të keqe të madhe, ti hapim rrugën reformave serioze të vendit. Dhe pastaj le ta qeverisin vendin ata që i besojnë qytetarët. Ata që janë më të zotët  në sytë e qytetarëve. Por kjo është një sëmundje e madhe që duhet të largohet