Këto janë arsyet përse anuluam Thumanë-Kashar

Kur njoftoi anulimin e koncesionit PPP për autostradën Thumanë-Kashar, ministrja e Transporteve, Belinda Balluku deklaroi se financimi do të shkojë për “Paktin për Universitetin”. E pyetur nga gazetarët për arsyet e anulimit të koncesionit, Balluku kërkoi prej tyre që të fokusoheshin te gjesti për të kaluar financimin te universitetet, ndërkohë që nuk dha asnjë shpjegim për vendimin.

Por zv/kryeministri Erjon Braçe, ndryshe nga ministrja, ka treguar dy arsye përse u anulua ky koncesion. Në emisionin ‘Repolitix’, në Report Tv, Braçe tha se arsyeja e parë ishte se rruga “ishte e shtrenjtë në një kohë kur ka një rrugë paralele e cila gjithashtu kërkon investime.” Sa i përket arsyes së dytë, Braçe theksoi se “kompanitë që duan të punojnë me Qeverinë shqiptare duhet ta harrojnë se mund të mashtrojnë” duke iu referuar skandalit të ‘Unazës së Re’.

Edhe pse i lidhi disa herë dy projektet, Unazën e Re me Thumanë-Kashar, Braçe nuk iu përgjigj konstatimit të moderatorit Denis Minga se, të paktën zyrtarisht nuk bëhet fjalë për një kompani që ka fituar dy tenderat, por për dy kompani të ndryshme.