Icardi arrin akordin për rinovimin me Interin, do të ketë një klauzolë të frikshme

Mauro Icardi do të vijojë që të jetë pjesë e skuadrës së Interit, teksa mediat italiane shkruajnë se është arritur akordi final me klubin zikaltër. Oferta e re e Interit është 7 milionë euro në sezon dhe klauzola për prishje kontrate është rritur nga 110 në 180 milionë euro (e vlefshme nga data 1 deri në 15 korrik).

Wanda Nara së fundmi kishte siguruar tifozët zikaltër se argjentinasi do të rinovonte kontratën, duke theksuar se priste një telefonatë nga Marotta. Icardi kërkonte 9 milionë euro në sezon, Interi ishte shtyrë deri në 6 mln euro, nga 4,5 milionë eurot aktuale, por në fund është gjetur një marrëveshje e mesme.

Ky është sezoni i gjashtë i Icardit te Interi. Ai ka realizuar 121 gola në 206 ndeshje me fanellën zikaltër, në të gjitha kompeticionet.