“Goditen” çmimet e biletave! “Bie” monopoli i karburantit të avionëve, futet një operator i dytë

Çmimi i karburantit, me të cilin furnizohen avionët pritet të ulet, çka do të ndikojë dhe në një ulje të çmimit të biletave ajrore. Kjo pasi, në treg po futet një operator i dytë, duke bërë që ai të dalë nga kushtet monopol në të cilat ndodhet aktualisht.

Burime pranë aeroportit të Rinasit thanë për TV SCAN se kompania e dytë ka bërë disa investime, ndërkohë që aktualisht është duke u pajisur me licencat që i nevojiten për të nisur aktivitetin.

Kostot e karburantit zënë një peshë të konsiderueshme në çmimin e biletës ajrore, ndërkohë që aktualisht furnizimi i avionëve bëhet vetëm nga një kompani.  Por, sipas një hetimi të thelluar nga Autoriteti i Konkurrencës në vitin 2016 u arrit në konkluzionin se kjo kompani ka abuzuar me pozitën monopol, duke vendosur çmime të larta.

Megjithatë, çmimi i karburantit është një prej elementëve që ndikon në çmimet e kripura, që paguajnë aktualisht pasagjerët që udhëtojnë nga Rinasi. Një tjetër hallkë, me  të cilën Autoriteti i Aviacionit Civil po synon në ulë çmimet është ulja e tarifave aeroportuale, duke u bazuar në auditimin që i është bërë kontratës koncesionare. Sipas tij, rezulton se koncesionari ka realizuar një fitim neto prej 150 milion euro për periudhën 2004-2017, apo 84 mln euro më shumë nga sa ishte skenari bazë.

Ndërsa kjo ka ardhur si pasojë e fluksit të rritur të pasagjerëve, në raport me parashikimet.  Ndërkaq, në dhjetor të vitit që sapo lamë pas, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë miratoi një udhëzim që rregullon tregun e ofrimit të shërbimeve të tokës në aeroporte, çka gjithashtu, pritet të ndikojë në çmim.

Shërbimet e tokës janë shërbime, të cilat ofrojnë aeroportet kundrejt kompanive ajrore,ku bëjnë pjesë: përpunimi i bagazheve, përpunimi në vendqëndrimin e avionëve; furnizimi me karburant e vajra lubrifikante, përpunimi i mallrave dhe postës etj.

/SCAN