A mund të ketë Rruga e Mëndafshit një stacion edhe në Shqipëri?

Nga Hajdar Muneka –

Para disa kohësh pata rastin të darkoja me një personalitet të rrallë kinez, anëtarin e Akademisë së Shkencave Shoqërore të Shanghait, Prof. Wang Zhan. Përveç postit të tij akademik, Profesor Wangu është edhe një figurë politike në vendin e tij. Ai ka mbajtur poste të rëndësishme në ekzekutivin e legjislativin kinez, deri atë të nënkryetarit të Asamblesë së Shanghait. Fjala është për numrin dy të parlamentit të qytetit më të zhvilluar të Kinës, me një popullsi gati nëntë herë më e madhe se ajo e vendit tonë. Për shkak të detyrave që ka mbajtur, por edhe falë aftësive të tij të veçanta komunikuese, zëri i tij dëgjohet edhe në sferat e larta drejtuese kineze. Profesori kishte sjellë me vete edhe dy profesorë të rinj dhe dy biznesmenë që mund të krahasohen me më të fuqishmit e Shqipërisë, por mesatarë në vendin e tyre. Profesorët kishin për detyrë të vlerësonin atmosferën tonë politike si dhe atë të rendit e sigurisë, ndërsa biznesmenët të shikonin ndonjë mundësi investimi, kryesisht në fushën e infrastrukturës. Të njëjtën gjë do bënin edhe në Mal të Zi e në Serbi. Nga axhenda dhe fusha e interesit, kuptohet se ky turne pune i këtij grupi të vogël kinez lidhej direkt me projektin e madh të Rrugës së Mëndafshit, ku rajoni ynë i Ballkanit është një degëzim i saj i rëndësishëm.
Siç bëjnë zakonisht të gjithë profesorët, edhe Wang Zhan, përpara se të vinte në Tiranë, kishte shfletuar shumë për Shqipërinë e ditëve tona. E theksova këtë pasi, siç më tha ai vetë, për Shqipërinë e dikurshme dinte pothuajse gjithçka. Dinte të mirat e të këqijat e asaj kohe. Fjala është për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Të këqijat, më tha, le të ikin me të këqinjtë. Të mirat t’i ringjallim e t’u japim jetë, nën frymën e re të bashkpunimit, mbi bazat e interesit e përfitimit të ndërsjelltë. Projekti i Rrugës së Mëndafshit, tha profesori, është i shtrirë në rreth 70 vende të botës. Por, janë të rralla vendet me të cilat Kina ka ndarë një histori aq të ngushtë bashkpunimi, siç ka ndodhur me Shqipërinë. Njohja reciproke është një kusht bazë për të hedhur hapa të mëtejshme bashkpunimi. Shqiptarët e kinezët e njohin njëri tjetrin dhe ky është një avantazh me vlerë të jashtëzakonshme. Brezi aktual që drejton Kinën është edhe i fundit që e mban mend miqësinë e ngushtë midis dy vendeve tona. Nëse nuk avancojmë shpejt, sa ta mësojnë të tjerët që do vinë më vonë se ku ndodhet Shqipëria e cilët janë shqiptarët, treni kinez do ketë shkuar shumë larg.
Profesori Wang Zhan i dinte përmendësh disa nga këngët e poezitë që janë thurur dikur për miqësinë shqiptaro – kineze. Duke diskutuar për thënien e famshme të Mao Ce Dunit, i cili e pat quajtur Shqipërinë “fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut”, unë i thashë me shaka se “fanari u shua sapo mbaroi vaji kinez”. Profesori më tha se në moment i kishte lindur një ide: pse të mos kthehej Shqipëria në një fanar të Rrugës së Mëndafshit për Ballkanin?
Shqipëria është bërë pjesë e Rrugës kineze të Mëndafshit që në vitin 2012. Në atë vit, me propozim të qeverisë kineze, u krijua platforma 16 + 1, një mekanizëm ku janë përfshirë 16 vende ish komuniste të Europës Lindore dhe Kina. Edhe për shkak të renditjes së alfabetit, Shqipëria është e para në listë. Përveç samiteve vjetore të nivelit të lartë, që mbahen një herë në vit, çdo vit organizohen edhe dhjetra veprimtari të ndryshme si konferenca, seminare, workshope, ekspozita, të gjitha në funksion të rritjes së bashkpunimit ekonomik e shkëmbimeve të gjithanëshme midis këtyre vendeve dhe Kinës. Shqipëria ka marrë pjesë në pjesën më të madhe të këtyre veprimtarive. Për financimin e projekteve të ndryshme të këtyre vendeve, kryesisht atyre në fushën e infrastrukturës, qeveria kineze ka alokuar edhe një fond të posaçëm investimesh, fillimisht 10 miliardë dollarë, por që është rritur ndër vite. Një vit më vonë, kjo platformë u bë pjesë e nismës më të madhe kineze në fushën e bashkpunimit ekonomik me botën, që është quajtur “Një Brez, një Rrugë”. Ka marrë këtë emër pasi parashikohet të zhvillohet në dy drejtime të ndryshme që do të bashkohen në të njëjtën pikë: në veri të Europës. Drejtimi i parë është ai tokësor, i cili pak a shumë do të ndjekë rrugën e dikurshme tokësore të mëndafshit. Ndërsa drejtimi tjetër do të jetë ai detar, i cili do të kapërcejë Oqeanin Indian, do të kalojë nga brigjet e Afrikës dhe, nëpërmjet Mesdheut, do të bashkohet me rrugën tokësore të mëndafshit. Shqipëria ndodhet në një nga pikat më të rëndësishme të atij rrugëkalimi. Financimi fillestar i këtij projekti, i parashikuar nga qeveria kineze, ka qenë 40 miliardë dollarë amerikanë. Por është parashikuar që ajo shifër të kalojë përtej trilionit. Në Kinë janë ngritur struktura të posaçme që merren me studimin e këtij megaprojekti. Qeveria kineze ka angazhuar edhe mekanizma të ngjashme në vende të tjera të botës, që e kanë përqafuar këtë nismë, të cilat me kohë të plotë po punojnë për implementimin e saj. Faktikisht atë e kanë përshëndetur, madje janë bërë pjesë e saj, edhe pothuajse të gjitha vendet e Europës. Një pjesë e tyre kanë filluar t’i shikojnë e gëzojnë edhe përfitimet e para të saj. Ato konsistojnë në porte, aeroporte, telekomunikacion, linja hekurudhore e autostrada. Në rajonin tonë përfituesit më të mëdhenj të deritanishëm janë Serbia e Maqedonia. Hapa të rëndësishëm ka hedhur edhe Mali i Zi.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit tonë, Shqipëria duhet të ndjehet më e favorizuara nga projekti i Rrugës së Mëndafshit. Kjo pasi asnjë nga ato nuk i ka kushtet gjeostrategjike më të përshtatshme. Vendi ynë është në kryqëzimin e të gjitha rrugëve detare, por edhe tokësore, që lidhin Europën Qëndrore e Veriore me Azinë Qëndrore dhe Afrikën. Por çfarë e bën tabllonë më të plotë është edhe gatishmëria kineze për të pasur këtu një stacion të rëndësishëm të asaj rruge në shtrirjen e saj drejt veriut të Europës. Qeveria shqiptare ka në dorë një sërë prejektesh të rëndësishme, të cilat, në bashkpunim me Kinën, por pa anashkaluar Brukselin, mund të gjejnë zbatim në terma afatmesëm e afatgjatë. Një koordinim sa më efikas i atyre projekteve, duke i lidhur edhe me Procesin e Berlinit, mendoj se do t’i jepnin një impakt të ri ekonomisë shqiptare. Duke e ditur gatishmërinë për bashkëpunim të organizmave kineze, të ngritura enkas për realizimin e nismës që përmenda më sipër, përfshirë edhe atë të ambasadës kineze në Tiranë, mendoj se mund të organizohen më shumë dëgjesa publike, konferenca, takime për shkëmbime përvoje e njohje të mëtejshme, jo vetëm të prejekteve, por edhe të njerëzve që i hartojnë e zbatojnë ato. Instituti për Bashkëpunim Ekonomik (CDI) ka krijuar një traditë mjaft pozitive, duke organizuar disa veprimtari për këtë qëllim. Mendoj se është koha kur mund të hartohet një strategji e mirëstudjuar me pjesëmarrjen e grupeve të interesit, dhomave të tregtisë, përfaqësuesve të kompanive e agjencive të interesuara. Por suksesi i kësaj pune garantohet me një rritje të mëtejshme të përfshirjes aktive të strukturave të qeverisë, e cila vlerësohet nga pala kineze. Pasi, edhe pse në këto nisma kaq të rëndësishme janë angazhuar qindra e mijëra kompani private nga Kina e nga bota, ato janë mirëfilli platforma të qeverisë kineze, e cila e kontrollon mbarëvajtjen e zbatimin e tyre në çdo hap e detaj. Jam i sigurtë se, me një menaxhim të mirë e me pak durim kinezi, brenda një periudhe jo shumë të largët Shqipëria do të kthehet në një stacion të rëndësishëm të Rrugës së Mëndafshit drejt pjesës tjetër të Europës.
*Ish-ambasador në Kinë