ONM i kërkoi informacion për dosjen “Shullazi”, Prela flet pas seancës

Në seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar informacion për dosjen ‘Shullazi’ nga drejtuesja e komanduar e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela për periudhën maj-tetor.

E pyetur nga gazetarët pas seancës dëgjimore, Prela tha:

“Në lidhje me çështjen në fjalë kam shprehur qëndrimin tim në dokumentacionin që i kam vënë në dispozicion vëzhguesit të ONM dhe mendoj se ka qenë shterues. Është struktura përkatëse shtetërore, në rastin konkret KLP, e cila do të verifikojë të gjithë veprimtarinë ligjore përkatëse”.

Seanca

Karriera e drejtueses së komanduar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela është vënë në pikëpyetje nga vëzhguesi ndërkombëtar i ONM-së, Teo Jacobs, i cili e kritikoi për pagesën e taksave nga ana e bashkëshortit të saj.

Në seancën që po zhvillohet në KPK për Prelën, vëzhguesi ndërkombëtar Teo Jakobs, ështe ndalur te detyrimet e bashkëshortit të Prelës.

“Përse është paguar me para kesh burri juaj? Burri juaj nuk ka paguar taksat”, është shprehur Jacobs.

“Unë e bashkëshorti im kemi jetuar në Shqipëri jo në vendet BE”, është shprehur Prela.

Bashkëshorti i Prelës ka të ardhura si inxhinier ndërtimi, ndërkohë për këto paga ai nuk ka paguar sigurime. Një arsye pse vëzhguesi i ONM-së u kap me Prelën.

Prela po përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Prela do të vlerësohet nga trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari. Sipas KPK-së, Prela ka mosdeklarim të huamarrjes me 1 milion lekë në tetor të 2010-ës. Ndërkohë ka dyshime për huamarrje 25 mijë € në vitin 2010, të cilën e ka kthyer në 2014. Ka dyshime për çmimin e blerjes së një toke nga Donika Prela, të ardhurat e së cilës i ka paguar nga paga si prokurore.