Nesër protestë para Kryeministrisë për shkatërrimin e kanioneve të Holtës dhe Zagorisë

Dy vendimet e fundit të ministrisë së Energjitikës në kohën që drejtohej ende nga Damian Gjiknuri, për të dhënë leje për ndërtimin e HEC-eve në dy nga zonat turistike dhe të mbrojtura; Kanionet e Holtës dhe Zagorisë, përveç revoltës në opinion po bëjnë që edhe ambientalistët të organizohen në protesta. Këta të fundit kanë paralajmëruar sot, se do të zhvillojnë një  protestë përpara ministrisë së Energjitikës dhe kryeministrisë.

“Nesër në orën 11.00 do të protestojmë në sheshin Skënderbej kundër shkatërrimit prej HEC-eve që po iu bëhen kanioneve të Shqipërisë, nga veriu në jug. Do të marshojmë drejt Ministrisë së Mafies dhe Energjitikës, marshojmë drejt ministrisë së Turizmit dhe drejt kryeministrisë”, thuhet në njoftimin e  ambientalistëve.

Gjithashtu ata apelojnë se nuk duhet të ndërhyhet në këto zona, për shkak se nëse në to “vihet dorë”, do të ketë pasoja të parikuperueshme për natyrën, por edhe për turizmin, buxhetin e shtetit, por edhe për jetën e banorëve të komunitetit.

“Nuk do kemi as turizëm, as zhvillim të zonave. Njerëzit detyrohen të ikën, sepse mundësitë për të pasur një jetë normale po zhbëhet”, theksohet në njoftim.

Situata paraqitet e agravuar për faktin se kanionet e Holtës kategorizohen si zona të mbrojtura. Ambientalistët akuzojnë hapur qeverinë se po shkel ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Për ambientalistët, duhet të ndërgjegjësohet shoqëria mbarë për shkatërrimin total që po i ndodh natyrës. Ata thanë se Shqipëria po shkatërrohet çdo ditë e më shumë dhe se resurset natyrore të vendit tonë po humbasin, duke e lënë të shkretë vendin.