Kurajë për të qenë vetvetja

PROF.ASC.DR. MIMOZA MANXHARI/

mimoza maxhariÇdo të linduri në këto 28- vitet e fundit, e përditshmja iu serviri si të bëhen manipulatorë dhe shërbëtorë të të tjerëve, por asnjëherë të vetes. Një djalë të ri, që dua të besoj se është bir i dy prindërve të mirë, shoqëria e bëri një mashtrues, një provokator dhe intrigant. E të mendosh që është aq i ri! U lind dhe u rrit në Shqipërinë e demokracisë dhe mendimit të lirë.

Do duhej të ishte i vërtetë dhe i pavarur, me mendim progresiv dhe pozitiv, por e vërteta është ndryshe- të djeg, të revolton, por përsëri mbetet e vërtetë. Ndërsa është e pranuar gjerësisht se arsimi është një ndërmarrje thelbësisht morale, në tërë këto vite, institucioneve shtetërore që kanë mision edukimin, iu ngushtua deri në shkallmim misioni informues dhe edukues. Idealizmi, që është aq latent në moshën e të rinjve, do duhet të nxirret nga individë me ndershmëri skrupuloze dhe me dije të spikatura në mësimdhënien e tyre. A i kemi më, individë të atillë sot?

Figura e mësuesit ka humbur peshën për të merituar nderin. Çfarë po ndodh? Mos vallë ndërsa koha ecën përpara, vlerat e pastra njerëzore deformohen dhe zhbëhen?! Koncepti ‘vlerë’ në themel të saj ka “të mirën”, e cila në filozofi nënkupton vetë mirësinë, si një cilësi jo e zakonshme, imune ndaj realitetit material e ndaj quhet dhe transhendente, së cilës i bashkëngjiten dhe dy përbërësit e tjerë, ‘e vërteta’ dhe ‘e bukura’. Portale të krijuara për të ushqyer stomakun dhe mëkatuar ndërgjegjen e krijuesit me kacidhet e pëlqimeve që do mund të marrin, shpërndajnë lajme të paverifikuara si thashethemet e kafeve të mëngjesit, duke çoroditur klikuesit dhe lënduar të piketuarit.

E shikoni? Të gjithë bashkë jemi të vendosur në skenën reale apo virtuale të jetës, me maska që hiqen e vihen sipas skenarit të momentit e pastaj, disa përfitojnë prej degradimit. Jam e lumtur për tërë ata studentë që njoha, që kishin ideale dhe aspak interesa dhe guxuan të identifikojnë qëndrimin e tyre. Respektoj të dyja palët e studentëve, si ata që bojkotuan mësimin sepse donin ta shihnin të materializuar synimin e tyre, ashtu dhe ata që pavarësisht gjithçkaje, zgjodhën të rifillojnë mësimin.

Ama, neveris atë numër të madh sehirxhinjsh, që nga kashtorja e ndonjë kafeneje apo divani shtëpie të nginjur nga pushimi, ndjekin ngjarjet që po përjetojnë shokët e tyre. Kjo është shoqëria jonë. Një shoqëri egoiste, mbushur me oportunistë që nuk shikojnë më tej se hija e tyre. Në të gjitha daljet e mia publike apo shkrimet që prezantova për këtë situatë, më etiketuan me gjithfarë lloj përkatësish. Njëherë isha e opozitës, pastaj edhe e pozitës(!), por asnjëherë nuk më quajtën vetvetja, sepse në këtë shoqëri, vështirë të të përfytyrojnë jashtë kornizës së një partie. Në këtë shoqëri mund të jesh i kujtdo, por aspak i vetes!

Kjo shoqëri operon vetëm me interesa, ndaj e ka të vështirë të kuptojë njerëzit që kanë ideale. Kjo shoqëri po humbet vlerat dhe po ia dobëson atyre rolin si forca që e mbajnë të lidhur shoqërinë, ndërkohë që do duhej të dëshmonte në vazhdimësi përgjegjësinë e saj të vetëdijshme për mirëqenien morale të qytetarëve të ardhshëm të këtij vendi.

Plot miq të mitë, ndërsa shihnin daljet e mia publike më thoshin: “ Ç’të duhet! Nuk do ta bësh ti këtë vend”. U jam mirënjohëse pafund, sepse në mënyrën e tyre ata donin të shmangnin pikërisht këtë që ndodhi. Kam marrë mesazhe keqardhjeje nga studentët, që më ftuan në takime duke u ndjerë fajtorë se u bënë shkak që emri të më përdorej kësisoj. U them atyre, nuk keni pse.

Ju jeni pjesa më e mirë e shoqërisë shqiptare, që kundërshtoni apatinë dhe lojërat e këqija të atyre që do duhej t’u jepnin tjetër motivim. Personalisht, nuk ndihem aspak keq. Keq do të ndihet shumë shpejt kushdo që i jep publicitet një lajmi, pa e verifikuar e për më tepër të deformuar. Ata që nuk e duan ndryshimin, le të jetojnë agoninë e tyre, ashtu të varur, në litarin e padijes.