Historia e trishtë e shokut të Canës dhe Lenjanit që u bë pjesë e fluturimit fantazmë

U transferua nga Argjentina te Bordeaux vetëm në moshën 20 vjeç.Agjenti i tij është vëllai i Gonzalo Higuain. Bëhet fjalë për Emiliano Sala, i cili është blerë nga Cardiff City, por avioni që ai po shkonte në Angli rezulton i zhdukur. Mediat britanike raportojnë se nuk kanë ende asnjë informacion se çfarë ka ndodhur.

Nga Franca janë të sigurt se Sala ka qenë në atë avion, por edhe ish-klubi i tij i Nantes, e konfirmon diçka të tillë. “Jam një djalë i qetë, që dashuron të qëndrojë në familje. Në stërvitje jam i përqendruar dhe sakrifikohem por pasi mbyll punën, përpiqem të shkëputem me futbollin dhe të bëj gjëra të tjera për të relaksuar mendjen”, rrëfente argjentinasi për mediet franceze nëntorin e kaluar.

Quhet Emiliano Sala dhe është 29 vjeç po prej mbrëmjes së ditës së hënë, nuk ka më asnjë informacion mbi të. Nuk ka ndërruar shtëpi, nuk është arratisur, thjesht u ngjit në një avion të mallkuar, me ëndrrat për të provuar Premier League, pas firmës me Cardiff City, që e priste për të bërë prezantimin dhe nisur stërvitjet. Nuk mund të largohej pa përshëndetur shokët e skuadrës në klubin ku ka kaluar 3 vjet dhe ku nisi të shkëlqejë, mes golave dhe rendimentit, aq sa ra në sy pikërisht në ishullin e futbollit.

Tifoz i Indipendientes dhe Batistutën si idhull, Sala është rritur në Cordoba, në Akademinë e Proyector Crecer, klub satelit i Bordeaux, që në moshën 20 vjeç e mori në Francë. Në fillim e xhiroi te Orleans (divizioni i tretë), më pas te Niort (ligue 2) përpara se të debutonte në kampionatin Ligue 1 (2014-2015) me fanellën e zhirondinëve që më pas e shitën te Caen. Aty u dallua nga Nantes që në verën e vitit 2015 e bleu duke e blinduar me kontratë 5 vjeçare: 48 gola dhe 13 asiste në 133 ndeshje të zhvilluara, ndërkohë që ka qenë shokë ekipi dhe me Canën dhe Lenjanin.