Zgjedhjet në PD, Salianji pas dorëheqjes: E kisha menduar

Partia Demokratike zgjodhi të shtunën organet e larta drejtuese, konkretisht kryesinë e re dhe drejtuesit e Sekretariateve. Kryesia e kësaj partie përbëhet nga 15 anëtarë, ku një pjesë prej tyre janë të rinj.  Kjo formulë ka lënë shumë emra të njohur jashtë kryesisë.

Deputeti, Ervin Salianji dha sot dorëheqjen nga posti i sekretarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ndërsa u shpreh se ky është një akt që para së gjithash, tregon njohjen e rezultatit. Ai shpjegoi se dorëheqja ishte një akt vullnetar dhe i menduar.

“Dua të uroj një punë të mbarë për të gjithë ekipin e ri të PD-së. Dorëheqja ime ka qenë e menduar dhe vullnetare, duke pasur parasysh përgjegjësitë e mia për çfarë nuk ka funksionuar gjatë kohës që unë kam pasur aktivizëm.

Kam marrë këtë vendim për një pozicion shumë të rëndësishëm, e besoj se ky duhet të jetë standardi që duhet vendosur nga tani e në vazhdim në PD.

Numërimi më nxori humbës, kështu që unë do të përpiqem të takoj sa më shumë demokratë, për të bërë edhe më mirë punën e opozitarit ndaj qeverisë. Por, kur nuk merr një rezultat në kohën kur je në një garë të caktuar, besoj se hapi i radhës është dorëheqja”, tha ai në emisionin “Open”.