Zëri Amerikës: Qeveria bëri kundër, jo vetëm studentët, por edhe pedagogët

Nga VOA/

Pedagogët e fakultetit të Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës zhvilluan sot grevë njëditore në mbështetje të protestave studentore, dhe në kundërshtim të disa vendimeve qeveritare, që shkelin, sipas tyre, autonominë universitare.

Greva u mbajt pas një vendimi të asamblesë së pedagogëve, pasi u konstatua se vendimet qeveritare të fund-dhjetorit janë në kundërshtim me frymën europiane të të drejtave universitare.

Në fund të dhjetorit qeveria mori një seri vendimesh si përgjigje ndaj 8 kërkesave të studentëve.

Por në vend që të kënaqte këta të fundit, ato hapën një përplasje të re me pedagogët, duke shkelur autonominë universitare me nismën për t’u hartuar universiteteve statutet, duke u kontrolluar librat dhe titujt shkencorë.

Drejtuesi i departamentit të gazetarisë në fakultetin Histori-Filologji, dr. Mark Marku, thotë se autonomi universitare bazohet në lirinë e kërkimit shkencor, punët shkencore me studentët dhe në përmbajtjen e mësimdhënies. Por v.k.m. e fundit, tha ai, i shkelin të trija këto elemente bazë.

Asambletë e pedagogëve të të gjitha fakulteteve pritet të mblidhen së bashku për të marrë një vendim të njëjësuar mbi hapa e radhës.

Ndërkohë protesta e studentëve të universiteteve publike është në javën e gjashtë të saj, qyshkur nisi nga fillimi i dhjetorit.

Tubimet masive në rrugë e sheshe janë zëvendësuar me bojkot dhe ngujime në mjediset e brendshme të fakulteteve, ndërsa autoritetet po përpiqen t’i bindin ata të kthehen në auditore, por pa prekur ligjin e debatuar për arsimin e lartë.