Sesioni i ri i Kuvendi. Mesazhi i Ruçit: Mjaft me kapriço, bashkë drejt BE

Në nisje të sesionit të ri Parlamentar, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dha një mesazh për të gjithë deputetët në sallë, por veçanërisht për opozitarët, të cilët i ftoi të vendosen krah mazhorancës për të përmbushur bashkë aspiratën më të madhe të shqiptarëve, hapjen e negociatave me BE. “Sesioni që lamë pas mund të ishte më produktiv nëse do të ishte edhe pjesëmarrja aktive e opozitës. Fitorja e zgjedhjeve duhet të jetë në shërbim të misionit kombëtar dhe jo e kundërta. Do të dëshiroja që debati i munguar të kompensohet në këtë sesion. Prezenca e opozitës e bën sesionin të vështirë por njëherësh më demokratik, më të trazuar por njëherësh më të dobishëm. I kemi të gjitha mundësitë të vulosim në kujtesën e secilit prej nesh këtë sesion si sesioni i çeljes së negociatave me BE”,- u shpreh Ruçi në nisje të fjalës së tij.

Ruci tha ndër të tjera se duhet të përfundojë brenda këtij sesioni parlamentar ndërtimi i institucioneve të reja të drejtësisë dhe se duhet një sistem drejtësie me integritet. “Të nderuar kolegë nuk kemi zgjidhje tjetër, përveçse për të rindërtuar sistemin për një drejtësi që bën drejtësi. Reforma në drejtësi nuk është vetëm vettingu. Të përfundojë brenda këtij sesioni ndërtimi i institucioneve të reja të drejtësisë. Forcimi i kontrollit parlamentar si një objekt konstat i parlamentit do të kontribuojë për cilësinë e jetës së qytetarëve. Kemi filluar përgatitjet për 100 vjetorin e Ismail Qemalit. Plotësimi i sfidave që na presin nuk toleron asnjë pengesë dhe asnjë shmangie. Sfidave t’u paraprimë me vizion. Duhet një sistem drejtësie i pandashme dhe me integritet që do an bënte krenarë”- tha Ruçi.

Duke kërkuar që edhe mazhoranca të bëhet më bashkëpunuese, i pari i Kuvendit i kërkoi edhe njëherë opozitarëve të lënë mënjanë kapriçot. “Shpresoj që opozita të bëhet një vlerë e shtuar dhe shumica të tregojë më shumë vullnet për të bashkëpunuar. S’kemi luksin të biem në batakun e ambicieve partiake. Mjaft e kemi penguar aspiratën europiane me kapriçot tona”,- vijoi ai. Po ashtu Ruçi kërkoi votën e deputetëve të opozitës për të miratuar ndryshimet në kodin zgjedhor. Ruçi tha se ky është gjithashtu sesioni kur pritet të ngrihen institucionet e drejtësisë së re.

Fjala në çeljen e sesionit të ri parlamentar:

Nga Gramoz Ruçi

Të dashur qytetarë të Shqipërisë, ju uroj një vit të ri të mbarë në familjet tuaja! Të nderuara deputete dhe deputetë, Me rastin e hapjes së sesionit të ri, ju uroj një vit të sukseshëm në punën e secilit dhe në punët e përbashkëta për të mirën e Shqipërisë.

Përpara se të paraqes disa nga prioritetet e këtij sesioni, po bëj një bilanc të shkurtër të sesionit që kaloi. Gjatë sesionit të kaluar miratuam 58 ligje, midis tyre tre të reformës në drejtësi. U konstituan dhe filluan nga puna Këshilli i Emër imeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Komisioni i Pavarur për koordinimin, monitorimin dhe zbatimin e ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. U hap rruga për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, SPAK-ut, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatave të posaçme.

Vettingu po vazhdon dhe konfirmimi i 48% të subjekteve, provon nevojën substanciale të rindërtimit të sistemit të drejtësisë. Në ushtrim të përgjegjësive  për procesin e integrimit europian, Kuvendi ka programuar plotësimin deri në prill 2019 të 6 objektivave e 46 masave të Planit të Veprimit.

Manuali “Mbi sistemin e kontrollit të përputhshmërisë së legjislacionit shqiptar me standartet e BE-së, në nivel parlamentar”, i miratuar gjatë sesionit të kaluar, ofron udhëzime për  deputetët dhe ekspertët. Në takimin e dytë me përfaqësues të qeverisë dhe institucioneve të pavarura, tërhoqëm vëmendjen për mosnxjerrjen në kohë ose në formë të plotë të disa akteve nënligjore në zbatim të ligjeve të miratuara nga Kuvendi.

Në dhjetor miratuam Manualin e raportimit të institucioneve të pavarura në Kuvend. Sesioni mund të ishte më produktiv nëse për objektivat e tij do të kishte kontribuar edhe opozitënNë veprimtarinë parlamentare duhet të mbajmë parasysh se jo çdo veprim ligjërisht i drejtë, është edhe moralisht i drejtë. Partive parlamentare u bëj thirrje se ambicja e tyre nuk duhet të jetë të triumfojnë me çdo kusht e në gjithshka, por të konkurrojnë për të fituar detyrimin tu shërbejnë qytetarëve.

Fitorja e zgjedhjeve duhet të jenë në shërbim të misionit kombëtar dhe jo e kundërta. Unë dëshiroj sinqerisht që debati i munguar i sesionit që kaloi të kompensohet në këtë sesion. Legjitimiteti e përfshirja dhe jo komoditeti, përjashtimi apo vetëpërjashtimi e bëjnë një parlament funksional. Prezenca e opozitës e bën sesionin parlamentar më të vështirë, por më produktiv; më konfliktual, por më demokratik; më të trazuar, por më të dobishëm.

Në mbyllje të sesionit të kaluar, vendi përjetoi një valë protestash të studentëve. Kërkesat e tyre janë një oportunitet edhe për Kuvendin. Ne po nxisim e inkurajojmë qeverinë të plotësojë detyrimet ligjore, financiare e njerëzore ndaj studentëve, arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Të harmonizojë në mënyrë më produktive format inovative të bashkëqeverisjes me efiçencën dhe rezultatet. Integriteti i qeverisjes lidhet edhe me qëndrimin aktiv dhe mirëqenien e qytetarëve.

I kemi të gjitha mundësitë që sesioni parlamentar që po nisim të vuloset në kujtesën e secilit prej nesh dhe në kujtesën kolektive të shqiptarëve, si sesioni i çeljes së negociatave me Bashkimin Europian.

Ne kemi avancuar në realizimin e përgjegjësive të programuara në Planin e Veprimit për Integrimin Europian.

Por në republikat parlamentare, përgjegjësitë e legjislativit shkojnë përtej tij. Detyrat tona janë të përbashkëta me degët e tjera të qeverisjes.

Shpreh gjithashtu bindjen se opozita, duke respektuar alternativën e saj politike, do të bëhet një vlerë e shtuar në segmentin e fundit të rrugëtimit drejt çeljes së negociatave.

Shumica parlamentare duhet të tregojë më shumë durim e vullnet për të bashkëpunuar.

Duhet të duam dhe të dijmë ta shfrytëzojmë shansin që na ka dhënë Këshilli Europian. Nuk e kemi më luksin të biem në kurthin e ambicjeve partiake dhe të mos ndriçohemi prej dritës që vjen nga Europa. Mjaft e kemi penguar aspiratën europiane të shqiptarëve me kapriçiot tona!

Reforma zgjedhore vazhdon të qëndrojë në krye të axhendës parlamentare.

Objektivin për realizimin e saj në sesionin e kaluar nuk e arritëm.

Është përgjegjësia jonë kushtetuese, politike e kombëtare që zgjedhjet vendore të 30 qershorit të jenë të lira e të ndershme, sipas standarteve të pranuara ndërkombëtarisht.

Prandaj, të mbledhim mendjen dhe të miratojmë sa më shpejt ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të trashëguara nga rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për tre zgjedhjet e fundit.

Zgjedhjet të mos pengojnë finishin drejt Europës, por të bëhen një oportunitet për të treguar sinqeritetin tonë politik proeuropian.

Si ligjvënës, grupe parlamentare e parti politike, t’i përgjigjemi aspiratës europiane të shqiptarëve. Të mos lemë për nesër asnjë detyrim që kemi për ta kryer sot!

Shumica dhe opozita të bashkojnë vullnetet, energjitë dhe firmat, pa kushte.

Gjatë këtij sesioni do të përfundojë plotësimi dhe ngritja e organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë: Gjykata Kushtetuese, SPAK-u,Inspektori i Lartë i Drejtësisë Byroja Kombëtare e Hetimit, Gjykatat e posaçme.

Gjatë këtij sesioni do të përfundojë miratimi  i akteve të paketës së reformës, si Ligji për Magjistraturën, Ligji për Policinë Gjyqësore, Ligji për Shërbimin Përmbarimor Privat, Projektvendimi Për strategjinë e edukimit ligjor të publikut, ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit etj.

Nuk kemi zgjdhje tjetër, përveçse tu dedikohemi detyrimeve për të rindërtuar sistemin dhe për tiu përgjigjur aspiratave të shqiptarëve për një drejtësi që bën drejtësi.

Reforma në drejtësi nuk është vetëm vetingu, por tre procese paralele: vetingu, ndërtimi i institucioneve të reja; dhe dhënia e drejtësisë me profesionalizëm, paanësi e integritet.

Dy aspektet e para kërkojnë zgjidhje teknike. Ndërsa dhënia e drejtësisë nuk mund të realizohet me po atë lehtësi që llogaritet pasuria, vlerësohet figura apo ndërtohen organet e reja të qeverisjes. Ky është një proces adaptiv dhe kërkon një lidership adaptiv të reformës dhe të vetë sistemit.

Prandaj Kuvendi do të kontribojë që me po ato ritme që ecen vetingu, të përfundojë brenda këtij sesioni ndërtimi i institucioneve të reja dhe, çka është më e rëndësishmja, të përmirësohet rrënjësisht dhënia e drejtësisë për qytetarët. Reforma dhe vetingu nuk na duhen për statistika, por për një drejtësi të re, në shërbim të Kushtetutës, ligjit e qytetarëve. Forcimi i kontrollit parlamentar ndaj qeverisë dhe institucioneve, si një objektiv konstant i yni, do të kontribojë në realizimin e prioriteteve të mësipërme.

Dëshiroj tju informoj gjithashtu se kemi filluar përgatitjet për përkujtimin e 100 vjetorit të ndarjes nga jeta të Ismail Qemalit dhe kremtimin në janar 2020 të 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar. Këto dy ngjarje duhet të na inspirojnë për t’i realizuar me më shumë dedikim objektivat e këtij sesioni.

Plotësimi i sfidave të rëndësishme që na presin, nuk toleron asnjë vonesë, shmangie apo mosplotësim të detyrimeve tona kushtetuese, parlamentare e kombëtare.

Këtyre sfidave tu paraprijmë me vizionin, tu shërbejmë me ambicjet dhe për realizimin e tyre të çlirojmë të gjitha energjitë tona.

Dera e hapur në Europë; zgjedhje vendore me standarte të larta në një demokraci funksionale; një sistem drejtësie profesional, i paanshëm e me integritet, do të mjaftonin për të na bërë krenar në mbyllje të sesionit që po nisim. Punë të mbarë.

 

Kuvendi nis sesionin e ri, e pranishme edhe opozita