Roland Qafoku: Sfidat e qeverisë së re të Edi Ramës

Nga Roland Qafoku

Vera e re në fuçinë e vjetër

Për shumicën janë jo vetëm fytyra të reja për publikun, por të panjohur edhe për vetë PS. Nuk kanë patur high profile dhe nuk kanë bërë jetë partie. Për këtë, por edhe për të tjera tashmë pothuajse kemi një qeveri të re të Edi Ramës. Këtë konstatoje dje teksa një e nga një hidhnin firmën dhe betoheshin te Presidenti i Republikës. Megjithatë sfidat që shtatë ministrat kanë përpara janë shumë më të rëndësishme se sa çdo koment për ta. Sindromi i mandatit të dytë që ka përfshirë pushtetin e Partisë Socialiste, zgjedhjet lokale dhe më e rëndësishme vendimi i pritshëm i BE për hapjen ose jo të negociatave, e bëjnë këtë kabinet nga më sfiduesit. Mënyra se si do t’i menaxhojnë këto tre sfida do të ndikojë shumë në të ardhmen e vendit dhe të vetë Qeverisë.

Edi Rama, ministër i Jashtëm dhe kryeministër.

A do jetë në nivelin e Ismail Qemalit?

Edi Rama është kryeministri i katërt në historinë e shtetit shqiptar pas Ismail Qemalit, Turhan Pashë Përmetit dhe Enver Hoxhës që pritet të mbajë njëkohësisht edhe postin e ministrit të Jashtëm. Kjo ndodhi pas 75 vjetësh nga ajo që bëri Enver Hoxha në 1944 kur sapo mori mandatin e kryeministrit mbajti edhe postin e ministrit Jashtëm, madje edhe atë të Mbrojtjes. Por si do të funksionojë Edi Rama me këtë post që tha se do ta mbajë de jure? Nëse i krahasojmë, profili i tij është shumë më poshtë se ai i Ismail Qemalit që vezirët e Turqisë dhe shtetarët e Evropës komunikonin me të si t’i kishte miq të vjetër. Profili i Ramës është më poshtë se i Turhan Pashë Përmetit që përpara se të merrte këto dy detyra në Shqipëri kishte shërbyer si ministër i Jashtëm në Perandorinë Osmane dhe ambasador po i Perandorisë në Rusi, si dhe ishte mik i Carit.

Madje për shkak të rrethanave të kohës sidomos në konferencën e Paqes në Paris në 1946 profili i Ramës nuk është as si i Enver Hoxhës. Rama, e shumta mund të bëjë një foto me Trump dhe ta shpërndajë në Twitter, ndërkohë që Ismail Qemali ftohej nominalisht në varrimin e mbretëreshës Viktoria. Edi Rama mund të bëjë gallata ballkanike me Aleksandër Vuçiç, por Turhan Pashë Përmeti bisedonte me presidentin amerikan Woodrow Wilson dhe atë francez, Georges Klemenceaus si homologë, plot nder. Megjithatë më shumë se profile, sfidat që e presin përpara diplomacinë shqiptare janë shumë të mëdha. Hapja ose jo e negociatave, diskutimi delikat për kufijtë mes Serbisë dhe Kosovës dhe kryesimi i OSBE-së, janë arra të forta për talentin diplomatik të Ramës. Është e vërtetë që realisht detyrën e ministrit do ta mbajë Gent Cakaj, i cili është zëvendësministër, por Rama do të ndodhet përballë fakteve të tilla që çdo ftesë, çdo takim dhe çdo bisedë do jetë për ministrin e Jashtëm dhe këtë detyrë e mban Edi Rama. Ndërkombëtarët nuk do të interesohen se cili është de jure dhe cili de facto. Për ata, të dyja postet i ka Rama dhe atij i duhet të përballet me ta. Deri në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese duhet të kalojë të paktën gjysmë viti dhe në këtë periudhë Ramës i duhet të kalojë prova të forta në diplomaci. Të presim.

Ah se për pak harruam: Një nga premtimet e pambajtura të Edi Ramës është edhe se ka deklaruar se nuk do mbante asnjë detyrë tjetër shtetërore përveç kryeministrit. Por ja që tani pret të dekretohet dhe si ministër i Jashtëm.

Erion Braçe, zëvendëskryeministër

Xhevahiri i vogël i qeverisë së madhe

Presidenti i katërt i SHBA-ve, Tomas Medison, ishte vetë 165 centimetra i gjatë, por historia e njeh si babanë e Kushtetutës amerikane. Ky shembull vlen për rastin Braçe që më shumë se aftësitë dhe zotësinë e tij, një pjesë e kundërshtarëve politikë i vënë në dukje gjatësinë fizike. Por ama janë po këta kundërshtarë që Braçes ia kanë më shumë frikën edhe se ndoshta më shumë gjithë kabinetit të marrë së bashku. I pakompromistë, i papërfolur në asnjë aferë korruptive, luajal dhe gërnjar pozitiv, Braçe dhe ka bërë më mirë se kushdo tjetër politikanin dhe gazetarin njëkohësisht. Aktualisht mban mbi supe të vetmin identitet bio të Partisë Socialiste.

Gjithsesi, sfidat që ai ka përpara janë jo të vogla, sepse ndryshe ishte të punoje në anën e djathtë të bulevardit dhe ndryshe është të punosh në anën e majtë. Megjithatë më e rëndësishmja mes të gjitha sidave është cilësia e administratës dhe lufta ndaj korrupsionit po në administratë. Në këto 5 vjet duhet thënë se një gjë e tillë ka qenë gjysmë e dështuar. Themi gjysmë se ka patur edhe angazhime pozitive dhe themi e dështuar se është shumë larg asaj që vetë Rama premtoi kur ishte në opozitë.

Për qeverinë, klientelizmi, nepotizmi dhe korrupsioni në administratë nuk janë fajtorë Meta dhe LSI. Shqipëria vazhdon të ketë pjesën më të dukshme të saj administratën në një nivel të tillë që mund ta krahasosh ende me cilësinë otomane. Por Braçe si njeri parimor dhe aspak dorëlëshuar, i duhet të bëjë ndryshime radikale. Nuk presim rrënjësore por ama të dukshme po. Dhe për Braçen kjo është prova e madhe në karrierën e tij 23 vjeçare si politikan.

Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë

Rikthim pas 45 vjetësh në qeveri i një mbiemri

Belinda Balluku është vajza e djalit të Beqir Ballukut. Ministër i Mbrojtjes, zëvendëskryeministër, gjeneral i ushtrisë dhe një nga eksponentët kryesorë të regjimit komunist, Beqir Balluku u pushkatua nga Enver Hoxha pas një procesi të pashpirt. Janë me qindra fashikuj nga dosja hetimore dhe gjyqësore ndaj Beqir Ballukut dhe një Zot e di se si ia kanë manipuluar atë proces duke e quajtur tradhtar. Dhe kë? Atë që tregoi besnikërinë më të madhe ndaj Enver Hoxhës kur ai ndodhej në Moskë dhe ofertës së ambasadorit rus në Tiranë për ta zëvendësuar, Balluku iu përgjigj: Nëse Enverit i ndodh gjë në Moskë, të gjithë rusët që ndodhen në Shqipëri do t’i shkoj në hell”. Megjithatë besniku sipas vetes dhe tradhtari sipas Enverit, u pushkatua.

Natyrisht që mbesa e tij jo vetëm që nuk ka asnjë lidhje dhe faj nga e gjithë kjo histori e trishtë, por për familjen Balluku nuk është pak që Belinda është ajo që pas 45 vjetësh po kthen mbiemrin e saj në Qeveri. Belinda Balluku është spikatur më shumë në administratë se sa në politikë dhe kjo e ka bërë edhe të njohur por edhe të panjohur. Ajo ka ndjekur karrierën të duke mos qenë shumë e njohur për masën e publikut. Drejtoreshë Kabineti në bashkinë e Tiranës dhe drejtoreshë e ANTA me shef Edi Ramën, ajo ka parë vetëm ngritje në karrierën e vet. Vetë Rama e cilëson të suksesshme, me nofkën “shtriga kuq e zi”, ndërsa opozita, e cilëson si një person super të korruptuar dhe sipas Bashës konkurron me Damian Gjiknurin. Këto do të lihen pas nëse Balluku do të kalojë disa sfida që ka përpara në drejtimin e ministrisë. Skandali me firmën që do të ndërtonte një nga lotet e Unazës së madhe të Tiranës, infrastruktura e keqe në shumë drejtime dhe projekte të tjera, janë shumë.

Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

“S’do vjedhim në mënyrë kaq flagrante”

Çdo gjë mund të bëjë Eduard Shalsi si ministër, përveç njërës: Të vjedhë në mënyrë kaq flagrante. Ai mban mbi shpinë një thënie që i doli nga goja gjatë një emisioni televiziv: “Dhe mbi të gjitha një premtim që mund ta bëj që tani: Nuk do të vjedhim në mënyrë kaq flagrante sa ç’kanë bërë këta [PD]”. Ai mban mbi shpinë këtë shprehje që sa herë e kujton duhet të kafshojë gjuhën. Se si e tha dhe se si i doli, vetëm ai e di. Tani që është ministër nuk do lënë rast pa ia përmendur dhe sfida e tij më e madhe është se do të menaxhojë lapsusin duke demonstruar se sa punë do të bëjë.

Edhe Shalsi vjen si zyrtari i dytë i ardhur nga bashkia e Tiranës. Një administrator i aftë në atë kohë dhe një zëvendësues kur Rama u bë njëkohësisht, kryetar i PS.

Besa Shahini, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Kosovarçja që nuk ka lidhje me të qenit nga Kosova

E folura kosovarçe dhe jo fakti që është nga Kosova është problemi numër një i Besa Shahinit. Ka një problem shumë të madh kur dëgjohet aksenti i saj. Në Shqipëri nuk të kritikojnë përse flet kosovare, por përse flet me dialekt. Është njësoj sikur Sandër Lleshi të flasë me aksent mirditor, por në fakt ai flet gjuhën e pastër shqipe. Gjuha shqipe është një dhe nëse nuk e ke patur mundësinë ta mësosh standardin e saj, duke qenë ministre e aq më tepër e Arsimit, nuk është justifikim fakti se je nga Kosova. Nuk e di se si do ta menaxhojë këtë ngërç Shahini, por parashikoj problem të mëdha në komunikimin e saj. Megjithatë sfida e sfidave të Besa Shahinit është protestave e studentëve. Pas Kastriot lslamit në 1991, ajo është ministrja e dytë në detyrë që nuk po i funksionojnë normalisht universitetet sepse janë hedhur në protestë. Besa Shahinit i duhet të menaxhojë kaosin total që një Zot e di se si do t’ia dalë. Të presim.

Elva Margariti, ministre e Kulturës.

Sa e lehtë është kjo detyrë kur zëvendëson Kumbaron

Çdokush që të emërohej në vend të Mirela Kumbaros do ta kishte më të lehtë punën. E cilësuar si ministrja më e paaftë në të gjitha qeveritë, Mirela Kumbaro i ka dhënë një mundësi kaq të madhe të panjohurës Margariti sa aktualisht ajo nuk e kupton. Por në ditët, javët dhe muajt në vijim do të kuptojë se çfarë ka bërë paraardhësja e saj në 5 vjet në atë dikaster.

Margariti duhet të marrë frymë thellë dhe t’i futet punën me shumë sforco për dy arsye: Së pari të rregullojë punët e Kumbaros dhe së dyti të krijojë vetë imazhin dhe staturën për të lënë përshtypjen se ministër Kulture është vetëm ministrja e Kulturës dhe jo këshilltarët e Kryeministrit.

Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Të gjitha të falen përveç Ekonomisë

Sfidën e sfidave nga të gjithë ministrat e ka Anila Denaj. Të gjitha mund t’i falen kësaj qeverie përveç ekonomisë. Në një situatë kur paraardhësi i saj Arben Ahmetaj bërtiste se është rritur ekonomia dhe në fakt ajo ishte ulur, Denaj ka një barrë të madhe përpara. Propaganda e Ahmetajt tashmë është game over dhe asaj i duhet të tregojë shumë. Nuk e hanë më shqiptarët se rritja 4 për qind e bën popullin më të lumtur. O njerëz! Katër për qind e ekonomisë së vendit, në kushtet e Shqipërisë është asgjë. Prandaj Denaj, e mësuar me sfidat e jetës aty ku ka qenë, ka mbi supe sfidën e sfidave.

Bledi Çuçi, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Qytetarët që drejtojnë ministrinë e fshatit

Tashmë nuk është më çudi që një djalë që ka jetuar brenda unazës së vogël të Tiranës të drejtojë një ministri për fshatin. Pas Genc Rulit dhe Edmond Panaritit, tashmë detyrën e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e ka marrë Bled Çuçi. Por sfida e sfidave për Çuçin është siguria ushqimore. Si pjesë e sigurisë kombëtare, në këtë fushë djali i mirë Çuçi duhet të përgatitet të bëjë një betejë të jetës. Por nëse është i ndershëm dhe patriot. Nëse e ndjen veten vërtetë të aftë. Dhe nëse e vlerëson shqetësimin masiv, duhet të bëjë punë të tilla që të lënë gjurmë dhe në këtë aspekt, siguria ushqimore është një luftë e pandërprerë. I nderuar zoti ministër! Kurrë mos bëj kompromis me jetën e shqiptarëve. Nëse lufton me matrapazët, abuzuesit, ata që shesin vdekje, do të mbetesh në zemrat e njerëzve. Në të kundërt do të jesh pjesë e atyre që e dëmtuan aq shumë këtë popull deri në vrasje.

Elisa Spiropali, ministre Shteti për Parlamentin.

Çudirat e mira për Elisën nuk kanë fund

Vajza e MJAFT me emrin Elisa që erdhi nga SHBA, vërtetë po jeton botën e çudirave të mira. Nuk është më e dikurshmja, por me postin e ministres duhet të tregojë ato fjalë kur u prezantua për herë të parë në krah të Erion Veliajt. Ajo duhet të tregojë me vepra se Skënderbeu dhe Mamica janë modelet më të mira për shqiptarët dhe si e tillë duhet të ketë rezultate të prekshme. Në jetën tonë akoma flitet për bukë, ujë dhe elementët më jetësorë të njeriut. Dhe Elisa ndonëse postin e ka për punët e Parlamenti, më shumë se kaq duhet të punojë për punët dhe hallet e njerëzve.