Rama edhe ministër i Jashtëm: Kemi gati padinë ndaj Presidentit

Kuvendi ka miratuar dekretin e Presidentit, Ilir Meta për shkarkimin e Ditmir Bushatit si ministër i jashtëm dhe emërimin e kryeministrin Edi Rama edhe në postin e ministrit të jashtëm.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati është shkarkuar me 77 pro dhe 1 abstenim. Vota abstenim ka qenë nga deputeti Spartak Braho, ndërsa vetë ministri ka votuar pro shkarkimit të tij. Sakaq, kryeministri Edi Rama është emëruar ministër i jashtëm me 78 vota pro.

Pas votimit në Kuvend, në një prononcim për mediat, kryeministri tha se mazhoranca ka gati për padinë ndaj kreut të shtetit.

“Dua të them se votimi i sotëm ishte rezultat i një zgjedhje të detyruar si pasojë e refuzimit të presidentit për të dekretuar ministrin e jashtëm dhe thënë kjo, dua ta bëj të qartë për gjithë opinionin se nuk ka një gjykatë Kushtetues ende dhe në pritje të formimit të Gjykatës Kushtetuese për të trajtuar në rrugë institucionale shkeljen e saj nga Presidenti u detyrova të marr ketë vendim, pasi projekti i qeverisë re nuk duhet të cenohet. Ne kemi përgatitur padinë në Gjykatën Kushtetuese për shkeljen e bëra nga presidenti”,- tha Edi Rama.