Mungon oferta 200 mijë euro, Kukësi “skonto” për Rexhinaldon

Rexhinaldo është një prej sulmuesve më të mirë në kampionatin shqiptar. Shifrat dhe loja e tij e tregojnë më së miri se bën diferencën jo vetëm për Kukësin. 7 gola të shënuar në 18 javë kanë bërë që sulmuesi nga Mozambiku të renditet mes golashënuesve të Kategorisë Superiore.

Por, sërish kaq nuk kanë mjaftuar. Drejtuesit kanë pretenduar më tepër nga lojtari, referuar rasteve që Kukësi ka krijuar dhe atyre që janë shpërdoruar nga reparti i sulmit në tërësi.

KONKURRENCA

Kështu që krerët e klubit panë të nevojshme përforcimin me Vasil Shkurtajn, i cili ka një fizik dhe potencial të madh. Por, me ardhjen e Shkurtajt duket se hapësirat për Arturo Rexhinaldon janë ngushtuar. Këto u faktuan në tri miqësoret që Kukësi zhvilloi në tokën turke. Në takimin e parë ndaj Bashaksehir u aktivizua Rexhinaldo si titullar, mandej në dy takimet e fundit ndaj Rostov dhe Shahtjor Karagandit, trajneri Cungu ka zgjedhur si titullar Vasil Shkurtajn. Ky i fundit ka shpërblyer besimin trajnerit me një gol, pa harruar asistin në golin e Çyrbjes ndaj turqve të Bashaksehir. Duke parë “tekat” e vazhdueshme të sulmuesit nga Mozambiku gjatë gjysmës së parë të sezonit, drejtuesit kërkojnë ta shesin sulmuesin.

“SKONTO”

Personat përgjegjës të merkatos kanë krijuar kontakte me shumë klube dhe menaxherë të huaj duke ua ofruar 29-vjeçarin, por akoma nuk ka një ofertë konkrete. Partizani e kërkoi Rexhinaldon, por presidenti Gjici refuzoi të përforconte rivalin. Janë disa klube që e ndjekin, por akoma nuk ka një ofertë konkrete. Në fillim Kukësi kërkonte 200 mijë euro për lojtarin, por tashmë dhe thuajse gjysmën, pra, për 100 mijë janë të gatshëm ta lëshojnë. Në gjë është e sigurt, që nëse nuk ka një ofertë të mirë financiare, Kukësi do e mbajë sulmuesin, natyrisht duke bërë një pakt me të: Të zbatojë urdhrat e trajnerit dhe rregulloren e klubit, pasi në të kundërt ndëshkimi do jetë i rëndë për sulmuesin 29- vjeçar.

DILEMAT

Kukësi ka qenë mjaft i ekuilibruar në këtë merkato, ku lëvizjet duke u krahasuar me vitet e shkuara kanë qenë minimale. 3 afrime të deritanishme (Eduard Rroca, Vasil Shkurtaj e Faton Xhemaili), ndërsa Haris Harba, Vangjel Zguro, Omar Ture, Donjet Shkodra e Dino Shpehar janë largimet. Por, merkato do dhe 10 ditë të mbyllet dhe te Kukësi ka akoma dilema.

PORTA

Së pari, dëmtimi i papritur i portierit Faton Maloku ka bërë që drejtuesit të mendojnë ta riorganizojnë këtë sektor. Deri më tani, synim kryesor është portieri i dytë i Kombëtares së Maqedonisë, Damjan Shishkovski, por nisur nga niveli ai kërkon një rrogë që për të mund të konsiderohet normale, ndërsa për tregun shqiptar futet te pjesa e të paguarve shumë mirë. Po punohet dhe negociohet me të për ta bindur e për ta bërë pjesë të Kukësit. Nëse nuk arrihet marrëveshja e transferimit të tij, Shpëtim Mocka dhe Edvan Bakaj janë alternativa.

MESFUSHA

Së dyti, është mesfushori Shafik Tigroudja, i cili ka probleme me muskujt e barkut dhe kjo gjë i ka shqetësuar mjaft drejtuesit, të cilët janë në dyshime ta mbajnë apo jo lojtarin. Me algjerianin, i cili zotëron pasaportë franceze, do diskutohet për të gjitha mundësitë, të cilat deri më tani janë 50 me 50 në raportet e përqindjes referuar qëndrimit apo largimit/ Panoramasport