Laboratori i drogës në Has, përgjimet që zbuluan “Ronin e Shijakut”

Hekuran Hoxha, ose siç njihet ndryshe “Roni i Shijakut”, dyshohet se është personi që do trafikonte heroinën, e cila do prodhohej në laboratorin e Hasit, në drejtim të vendeve të BE-së.

Në kohën që Admir Hoxha, personi që kishte financuar ngritjen e laboratorit, ka qenë nën përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në skenë ka dalë edhe Hekuran Hoxha. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se biznesmeni Admir Hoxha ka komunikime të vazhdueshme me 48- vjeçarin nga Xhafzotaj, që u arrestua të premten.

Ata janë përgjuar teksa flasin për prodhimin e sasive të ndryshme të drogës dhe më pas trafikimin e saj. Në dosje sqarohet edhe fakti se Hekuran Hoxha flet më pas me shtetasin Saimir Gjepali, i arrestuar gjatë operacionit “Vol-Vo 4” në muajin tetor.

Sipas Prokurorisë, ky i fundit bashkëpunon ngushtë me pjesën tjetër të grupit të Shijakut, ku qëllimi është trafikimi i drogës në vendet e Europës Perëndimore. Heroina që do të përpunohej në laboratorin e Hasit, fillimisht do trafikohej drejt Kosovës e më pas drejt Belgjikës dhe vendeve të tjera të BE-së.

DOSJA

Gjatë operacionit “Vol-Vo 4”, gjatë të cilit u goditën 4 grupe kriminale me 27 të arrestuar, u shpallën në kërkim edhe 17 persona, 4 prej të cilëve vetëm për laboratorin e heroinës që u zbulua në Brenog të Hasit. Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda renditen të gjitha veprimet hetimore, përgjime telefonike e ambientale, gjatë të cilave dalin në skenë emrat e të gjithë personave të përfshirë në organizimin e laboratorit të drogës.

Sipas veprimeve hetimore, ideatori i ndërtimit të një objekti të tillë për përpunimin, jo vetëm të heroinës, por edhe të kokainës, është një biznesmen nga Tirana, pronar i një hoteli në afërsi të Aeroportit të Rinasit. Nga të dhënat e siguruara nga dosja e Prokurorisë, biznesmeni Admir Hoxha është njeriu që ka udhëhequr ngritjen e këtij laboratori në bashkëpunim me disa anëtarë të arrestuar të grupit kriminal nga Shijaku. Sipas Prokurorisë, Admir Hoxha ka mbajtur kontakte me shtetasit Hekuran Hoxha dhe Saimir Gjepali nga Shijaku, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

HETIMI

Sipas dosjes së Prokurorisë, dy nga anëtarët e grupit të Shijakut, Saimir Gjepali dhe shtetasi Hekuran Hoxha, i cili ka qenë i dënuar më parë në Turqi si i akuzuar për trafik heroine, ka pasur komunikime me biznesmenin nga Tirana për laboratorin e drogës në Has.

Prokuroria ka dokumentuar një takim mes Admir Hoxhës me dy shtetasit turq, Nedjet Cesuroglu allias Lavdërim Limani dhe Iskender Sale në hotelin e tij në Rinas, si dhe me shtetasin nga Kosova, Xhemal Shala. Këta dy persona nga Turqia, sipas Prokurorisë, kanë sjellë lëndën e parë për ta kthyer në heroinë./Panorama/