Vizita zyrtare/Presidenti Meta: Shqiptarët, faktor kyç në Malin e Zi


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Mal të Zi, u prit sot me nderime të larta shtetërore nga Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Pas interpretimit të himneve kombëtare dhe ceremonisë shtetërore të pritjes, të dy delegacionet zhvilluan bisedime zyrtare. Në përfundim të bisedimeve, Presidenti Meta dhe Presidenti Gjukanoviç dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë takimit në Podgoricë me homologun e tij të Malit të Malit të Zi i ka vlerësuar shqiptar si faktor kyç për Pavarësinë, integrimin, stabilitetin dhe prosperitetin e Malit të Zi. “Shqiptarët janë faktor kyç për pavaresinë, stabilitetin, prosperitetin e Malit të Zi por edhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis dy vendeve tona. Shqiptarët duhet të kenë një përfaqësim më të madh në administratën malazeze”, – është shprehur ndër të tjera Meta në takimin me homologun Gjukanoviç.

Deklarata e plotë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta në konferencën për shtyp:

I nderuar President i Malit të Zi,

I dashur Milo, Jam i lumtur që këtë vizitë të parë zyrtare për vitin 2019, një vit me mjaft sfida për rajonin tonë, ta nis pikërisht këtu në Malin e Zi, një vend fqinj kaq miqësor me të cilin na lidh, jo vetëm gjeografia, historia, kultura, njerëzit dhe vlerat euro-atlantike, por sidomos e ardhmja e përbashkët dhe pa kthim pas.

Jam i lumtur ta nis këtë vizitë këtu, sepse Mali i Zi, prej mëse dy dekadash është një faktor i fuqishëm i stabilitetit të rajonit tonë dhe njëkohësisht i forcimit të perspektivës europiane dhe euro-atlantike të tij bazuar në radhë të parë te bashkëjetesa.

Sikurse evidentuam bashkë me Presidentin Gjukanoviç, Shqipëria dhe Mali i Zi i kanë të gjitha motivet, arsyet, por edhe themelet mbi të cilat do të forcohet edhe më tej bashkëpunimi në të gjitha drejtimet.

Pavarësisht nga fakti që marrëdhëniet tona janë shembullore, jemi ende nën potencialin real të këtij bashkëpunimi, por kam besim se kjo do të vijë dhe gatishmëria e veçantë e Presidentit Gjukanoviç do t’i japë një shtysë të re të gjitha projekteve tona.

Autostrada Adriatiko-Joniane, po kështu projekti mjaft i rëndësishëm për lidhjen edhe të Malit të Zi përmes gazsjellësit që është duke përfunduar, pra të TAP-it, janë dy projekte madhore të cila së bashku me ruajtjen, menaxhimin dhe zhvillimin e integruar dhe të qëndrueshëm të Liqenit të Shkodrës dhe zonave rreth tij, të ujërave të tjera të përbashkëta, të Pikave të Kalimit Kufitar, ndërtimi i korridoreve rrugore, që i lidhin ato dhe shumë projekte të tjera ndërkufitare, si në kuadër të bashkëpunimit rajonal, ashtu edhe në kuadër të integrimit europian, do të sjellin një mundësi të shkëlqyer për t’u dhënë zgjidhje pengesave, që ende hasin qytetarët në të dy anët e kufirit, si në jetën e tyre të përditshme, ashtu edhe në planin e shkëmbimeve të natyrshme njerëzore, kulturore, tregtare, ekonomike apo për të zgjidhur edhe problemet mjedisore, që janë aq të rëndësishme për dy vendet tona që kanë një potencial të fuqishëm për zhvillimin e qëndrueshëm e sidomos për zhvillimin e turizmit.

Po kështu një temë mjaft e rëndësishme e forcimit të bashkëpunimit tonë ka të bëjë edhe ajo me integrimin e mëtejshëm të shqiptarëve në Malin e Zi dhe po kështu me respektimin e të drejtave të pakicës malazeze në vendin tonë.

Jam krenar për përkushtimin e shqiptarëve këtu në Malin e Zi, që nga pavarësia, që nga shtetformimi dhe në vijimësi për të gjithë mbështetjen e palëkundur që i kanë dhënë forcimit të shtetit të Malit të Zi dhe integrimit të tij euro-atlantik dhe në Bashkimin Europian.

Sepse në këtë mënyrë i kanë shërbyer interesit më të lartë, jo vetëm të Malit të Zi, por në këtë mënyrë i kanë shërbyer edhe forcimit të paqes, të sigurisë dhe të stabilitetit në rajonin tonë.

Jam i lumtur që gjeta te Presidenti Gjukanoviç mirëkuptim dhe angazhim për një përkujdesje edhe më të madhe ndaj të drejtave të shqiptarëve, për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, traditave dhe identitetit të tyre, për përfaqësimin më përfshirës në nivel qendror dhe lokal, për nxitjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të zonave ku ata jetojnë, për mbështetjen e një integrimi më të mirë të tyre këtu në Malin e Zi.

Ashtu sikurse në Shqipëri ne do të vazhdojmë të kemi një angazhim edhe më të madh për respektimn dhe promovimin e të drejtave të pikacës malazeze, e cila është një pakicë shembullore në vendin tonë.

Po kështu, e përgëzova Presidentin Gjukanoviç për përparimin e shkëlqyer të Malit të Zi në procesin e negociatave me BE-në dhe njëkohësisht për rolin mjaft pozitiv që luan si vend i ri anëtar i NATO-s dhe për të gjithë përkrahjen e axhendës së integrimeve në rajonin tonë.

Së shpejti në Tiranë ne do të organizojmë Samitin e Brdo-Brijunit, ku kontributi i Malit të Zi jam i sigurt, si gjithmonë, do të jetë i veçantë dhe shembullor dhe me këtë rast dua të shpreh edhe vlerësimet më të larta për mbështetjen që Mali i Zi i ka dhënë që në fillim pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të saj në të gjitha organizatat rajonale e më gjerë si një kontribut për forcimin e stabilitetit në rajonin tonë dhe përshpejtimin e të gjithë proceseve integruese në Ballkan.

Njëkohësisht ky është një vit i rëndësishëm për rajonin tonë edhe në drejtim të pritshmërive për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.

Dhe me këtë rast dua të theksoj rëndësinë që ky dialog me rezultatet e tij finale të forcojë dhe konsolidojë bashkëjetesën, jo vetëm midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe në Serbi, por bashkëjetesën në të gjithë rajonin tonë e sidomos të forcojë proceset integruese në të gjithë Ballkanin Perëndimor si e vetmja rrugë që ky rajon të ecë më me shpejtësi në rrugën e prosperitetit për të gjithë qytetarët tanë.

Edhe një herë dua të falënderoj Presidentin Gjukanoviç për angazhimin e tij të palëkundur në rrugën e dialogut, të forcimit të fqinjësisë sonë, të forcimit të paqes dhe të sigurisë në rajoni tonë dhe të proceseve integruese, sepse kjo është e vetmja rrugë për vendet tona, për popujt tanë dhe për rajoni tonë. Faleminderit!

Presidenti Meta pritet në takim të veçantë nga Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajoviç

Gjatë vizitës shtetërore në Mal të Zi, Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit, Ivan Brajoviç.
Presidenti Meta vuri në dukje marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe potencialin e madh të bashkëpunimit që kemi përpara si dy vende tashmë edhe anëtare të NATO-s dhe bashkërrugëtuese në integrimin europian.
Presidenti evidentoi se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë përgjegjësinë që të përçojnë vlerat më të mira të Aleancës Transatlantike si në planin dypalësh ashtu edhe atë rajonal, dhe se Parlamentet e të dy vendeve duhet të bëhen katalizatorë të këtij mentaliteti të ri rajonal.
Kreu i Shtetit i kushtoi vëmendje të posaçme respektimit, mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, duke inkurajuar nisma ligjore mbështetëse ndaj përdorimit të gjuhës, ruajtjes së simboleve, dhe identitetit kulturor të shqiptarëve si dhe për përfaqësimin e tyre proporcional në nivel qendror dhe lokal, duke i shërbyer bashkëjetesës harmonike në Mal të Zi si dhe bashkëjetesës rajonale.


Duke shprehur kënaqësinë që shqiptarët janë të përfaqësuar përmes z. Genc Nimanbegu në Parlamentin malazez, i cili mban njëkohësisht edhe detyrën e nënkryetarit të Parlamentit, Presidenti Meta tha se shpreson që ky përfaqësim të rritet edhe më tej duke i kontribuar si kuptimit më të mirë dhe plotësimit të nevojave të komunitetit shqiptar ashtu edhe shërbimit të interesit më të mirë të Malit të Zi.
Presidenti vlerësoi qëndrimet dhe rolin që Mali i Zi luan për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal, dhe shprehu dëshirën për kontakte më të shpeshta dhe nisma të përbashkëta mes Parlamenteve të dy vendeve tona.