Presidenti Ilir Meta në facebook për takimet e sotme në Mal të Zi

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ndodhet në Mal të Zi në një vizitë zyrtare. Pas takimeve kryesore ai ka postuar foto dhe tekst për vizitën.

Pas takimit me Presidentin Gjukanoviç, gjigandin e politikës dhe shtetit malazez, arkitektin e Malit të Zi të pavarur dhe demokratik, Ilir Meta shkruan: “Shumë i lumtur të vizitoj zyrtarisht Malin e Zi dhe të zhvilloja me Presidentin, Milo Gjukanoviç një takim të shkëlqyer! 
Forcimi edhe më shumë i marrëdhënieve dypalëshe, integrimi edhe më i plotë i shqiptarëve të Malit të Zi, si dhe kursi europian dhe euro-atlantik i rajonit, në interesin më të mirë të përbashkët”.

Ndërsa më vonë Presidenti Meta ka postuar: “Kënaqësi e veçantë të takoja sot Kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviç dhe të ndanim së bashku bindjen mbi rëndësinë e madhe të forcimit të marrëdhënieve midis dy Parlamenteve dhe rolit të madh që ato kanë për t’i dhënë impulse të reja raporteve të shkëlqyera mes vendeve dhe popujve tanë.
Theksova se çdo reformë zgjedhore në Malin e Zi duhet të ketë në konsideratë përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në nivel qendror dhe lokal”.