“21 Janari”, Bardhi: Ishte grusht shteti, fajtore opozita e kohës që dhunoi institucionet

Këshilltari  ligjor  i Partisë Demokratike, Gazmend i pranishëm në emisionin “A Show” në News 24 foli tek çështjen e 21 Janarit, ku katër qytetarë humbën jetën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kur kanë kaluar tetë vite nga përplasjet e dhunshme, këshilltari i PD-së tha se ajo ngjarje ishte një provokim i pastër nga opozita e kohës, e cila sot qeverisë Shqipërinë. Bardhi theksoi se nga ana juridike ajo protestë  ishte një grusht shteti, që kishte për synim dhunimin e institucioneve kushtetuese.

Pjesë nga Intervista:

Krasta: Unë e di se ti ke drejtuar Departamentin e Kodifikimit, je prurje e ekselencës, pra ke qenë student shumë i mirë, je një njeri që punon, mua më thonë që nga – le të themi 2015-a, të gjitha punimet e akteve ligjore të Partisë Demokratike kanë kaluar nëpërmjet teje. Pra praktikisht ti di. Si jurist, ç’është për ty 21 janari?

Bardhi: 21 Janari është një ngjarje e provokuar nga opozita e kohës…

Krasta: Nga pikëpamja juridike?

Bardhi: Një ngjarje e provokuar dhe një grusht shteti i dhunshëm ndaj institucioneve kushtetuese, për të cilën do duhet të ketë përgjegjësi, sikundër ka një ngjarje fatkeqe në atë histori, janë vrarë 4 qytetarë shqiptarë dhe sigurisht ka një dënim për personat përgjegjës për këtë veprimtari. Ka vendim gjykate, ka patur hetime të pavarura të prokurorisë në atë kohë, personat që janë shpallur përgjegjës për vrasjet janë dënuar me burgim nga gjykatat shqiptare, ndërkohë që nuk kemi asnjë dënim për ata që provokuan të gjithë situatën dhe i nxorën njerëzit në shesh për përfitime politike të ditës dhe i bënë ata viktima në atë ngjarje fatkeqe. Sigurisht, do të duhej të kishte dënim edhe për atë tentativë grushti shteti dhe dhune ndaj institucioneve kushtetuese.

Krasta: Që në fakt nga pikëpamja juridike ti nuk mund ta bësh, se ti nuk mund t’i thuash një njeriu se ti i ke nxjerrë njerëzit në shesh sepse kishe një ide për të krijuar një moment përplasjeje, nga e cila do të kishte rrjedhur një urdhër që u dha nga radha drejtuese e forcave për të shkrehur armët.  Si me thënë, me hipotezë?

Bardhi: Jo jo, ka prova të qarta që e gjithë situata e krijuar ndaj institucioneve ka qenë e organizuar shumë kohë më parë nga kupola drejtuese e Partisë Socialiste. Dhe kjo është një vepër penale për të cilën ata persona do duhet të mbajnë përgjegjësi. Gjer më sot nuk kanë mbajtur përgjegjësi. Ka patur një ngjarje fatkeqe, e përsëris, ku janë vrarë 4 qytetarë, për të cilët janë dënuar personat përgjegjës.

Krasta: Ke shumë të drejtë. Kuptova. Le ta hapim pak vëllimin e kërkesës për ta analizuar atë ngjarje sot. Në debatin që bëhet sot, midis njerëzve që komunikojnë në partitë politike PD-PS, të një pjese njerëzish që janë specialistë në nivelin e dytë dhe pastaj në grupimet e mëdha të militantëve, që të dyja partitë i kanë emocionalë dhe jodomosdoshmërisht shumë analitikë, thuhet se dallimi mes PS dhe PD është që PD ka vrarë 4 veta në shesh, PS-ja jo.

Bardhi: Kjo është e pavërtetë. Sigurisht është një konkluzion pa u thelluar në atë që ka ndodhur. Përgjegjësinë morale dhe njerëzore për vrasjen e atyre 4 njerëzve e kanë kryetari i Partisë Socialiste në atë kohë, kryetari i opozitës Edi Rama, dhe çdo zyrtar tjetër që organizoi në atë kohë atë tubim të dhunshëm .

Krasta: Jam dakord, veç kryetari i opozitës ka 6 vjet që udhëheq mazhorancën, ndërsa Partia Demokratike ka që më 21 janar që nuk e ka marrë veten nga jo vetëm një goditje e madhe në marrëdhëniet publike për shkak të asaj që ndodhi, sepse ishte shumë traumatike, por edhe e një perceptimi në public që është një parti pa demokraci të brendshme, me një qasje të dhunshme ndaj – le të themi – reaksioneve, protestave të njerëzve, një parti nga e cila nuk mund të presësh teknikisht që të kthehet në pushtet. Pse do të duhej?

Bardhi: T’i analizojmë të treja, sepse janë 3 çështje që lidhen me njëra-tjetrën, por që kërkojnë një analizë të veçantë. Së pari, përgjegjësia për sulmin ndaj institucioneve dhe gjithë pasojat që sjell një sulm i tillë, sepse parashikohet me ligj që nëse ti tenton të prekësh një institucion të sigurisë së lartë, sigurisht që do të marrësh edhe përgjigjen nga veprimet e ligjshme të Gardës së Republikës apo Policisë së Shtetit, ngarkuar me detyrën për të siguruar një institucion të rëndësisë së veçantë, siç është godina e kryeministrisë.  Në këtë këndvështrim, cilido që ka organizuar atë sulm të dhunshëm, e përsëris se është moralisht dhe nga pikëpamja njerëzore, përgjegjës për humbjen e jetës së atyre 4 qytetarëve.