Politika në teatër, Gent Zenelaj flet për kërcënimet me të cilat përballet çdo ditë

Aktori i njohur shqiptar, Gentian Zenelaj ishte pjesë e emisionit “Mos i fol shoferit” në Ora News ku tregoi diçka që publiku nuk e dinte për të. Posti i drejtorëve të teatrit është politik dhe për këtë arsye, Genti ka patur shumë pengesa pasi bashkëpunëtorët e tij janë përballur me kërcënime.

Gentian Zenelaj: Unë kam skena ku regjisorët janë kërcënuar, guxon ti punon me atë, ai është armiku i partisë. Nuk ka të bëjë vetëm me PS-në, edhe me PD-në, për mua janë njësoj që të gjithë. Vijnë nga i njëjti kazan, nga e njëjta mitër politikë, kështu që kanë të njëjtën fytyrë. Unë me 42 vitet e mia mbi shpinë, nuk po shoh një politikan të një kalibri apo të një ngjyre tjetër. Çuditërisht edhe djemtë e forumeve po marrin ngjyrën e kryetarit.

Para shumë vitesh, Gentian Zenelaj u shpërngul nga Lezha për të ndjekur studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë. Për këtë arsye, ai duhet të jetonte në konviktet e Tiranës, të cilat i konsideron si një “tmerr”.

I ftuar në emisionin “Mos i fol shoferit” në Ora News, Genti tregoi se çfarë përjetoi në ditën e parë të jetës së tij në Qytetin Studenti.

Gentian Zenelaj: Tmerr, tmerr, tmerr! Kam jetuar në Qytet Studenti, ka qenë një tmerr. Kur hyra për herë të parë pësova një shok sepse ishin 4 mure të bardha dhe nuk kishte asgjë dhoma. Më thanë kjo është dhoma jote, nuk kishte çelës. 

Kam dalë me vrap, kam blerë dy revista dhe i ngjita në mur se me dukej vetja si mi laboratori dhe kam dalë në dhoma të tjera me një levë dhe kam bastisur dhoma për të marrë një dollap, një gjë këtu, një atje për të krijuar një dhomë. Për ato që kanë jetuar në ato vite duhet të kujtojnë dushet. Vetëm ata që zgjoheshin në 5 dhe ata që zbrisnin 5:05 poshtë gjenin ujë të ngrohtë. 

Ndonëse kanë kaluar shumë vite, kushtet e konvikteve nuk janë përmirësuar dhe këtë e kanë treguar studentët në protestat që po zhvillohen që prej muajit dhjetor.