PD zgjedh sot kryesinë

Sot demokratët zgjedhin kupolën e re drejtuese të partisë, duke nisur nga kryesia, nënkryetarët dhe sekretariatet. Dje Lulzim Basha bëri publike 15 propozimet e tij për anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike. Për ish-Presidentin Bujar Nishani, kryedemokrati ka menduar një post honorifik në parti. ”Propozoj për kryetar të Këshillit Kombëtar: Bujar Nishanin”, tha Basha.

Kryetari demokrat kërkoi rikonfirmim për dy nënkryetarët e partisë, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, ndërsa Arben Ristani, i cili kishte shpallur ambicien për një mandat të dytë si Sekretar i Përgjithshëm, propozohet për një tjetër post, si kryetar i Komisionit të Apelimit. Në garën për numrin dy të partisë vihen re dy prurje të kryetarit demokrat, Gazment Bardhi, aktualisht këshilltar ligjor i selisë blu dhe këshilltari për ekonominë, Dorian Teliti. Jemin Gjana dhe Halim Kosova ruajnë postet, ndërsa bie në sy rikthimi i ish-zëvëndësministrit të Financave, Alfred Rrushaj, i cili propozohet për drejtimin e bordit financiar.

Enno Bozdo ruan postin e anëtarit të thjeshtë të kryesisë por ikën nga drejtimi i sekretarit organizativ të partisë, për drejtimin e të cilit propozohet të garojnë Sahit Dollapi dhe Lulzim Omuri. Çlirim Gjata garon përballë Marinela Ziut për postin e sekretarit për çështje ligjore. Ivi Kaso ka përballë ekspertin Dorjan Gjonmarkaj për postin e sekretarit për çështjet zgjedhore, ndërsa postin e sekretarit për burime njerëzore garojnë Ervin Minarolli dhe Minushe Lazaj. Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas dhe kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike janë anëtar ex officio të kryesisë.