Botuesit kundër taksave për librin: Nuk është mall dosido

Duke nisur nga janari i këtij vitit ka nisur të zbatohet taksa prej 6% për librin dhe 20% për shtëpitë botuese sipas skemës së TVSH-së.

Kjo situatë duket e papritur për përfaqësuesit e shtëpive botuese, të cilët thonë se taksa e re po shkakton amulli në industrinë e librit.

Botuesi, Pirro Misha, thekson se vendimi i Ministrisë së Financave erdhi papritur dhe nuk është diskutuar me grupet e interesit.

Misha: Ministria e Financave nuk mund të bëjë ndryshime të tilla pa marrë parasysh mendimin e dikastereve të tilla që hartojnë politika. Nuk mund të bëjë eksperimente. Shqipëria ka defiçite të mëdha kulturore. Është një ndryshim absurd sepse duhet të ketë ndryshuar diçka në kushtet që e bënë zero para disa vjetësh.Është edhe tregues i një mungese të një qartësie të politikave kulturore sepse nuk mund të trajtohet libri si një mall dosido.

Botuesja, Arlinda Dudaj, mendon se vendosja e TVSH-së prej 6% për librin ndikon drejtëpërdrejtë te lexuesi, në një periudhë kur qasja ndaj leximit është në rënie.

Dudaj: Nuk e gjykoj aspak të drejtë në një moment që ne flasim gjithmonë që lexohet më pak, që qasja e lexuesit ndaj librit është ulur.

Një tjetër shqetësim për, Irena Toçen, si botuese është shitja e stoqeve të librave të botuara ndër vite.

Toçe: Librarët nuk dinë si të shesin stokun që kanë dhe që nuk është i vogël. Ky ligj që u miratua në fund të vitit të kaluar, të paktën tu kishte dhënë bizneseve që merren me shitjen e librit një frymëmarrje duke u lënë një periudhë prej 6 muajsh minimalisht apo dhe 1 vit deri në fillimin e zbatimit të këtij ligji.

Vendosja e barrës fiskale për shtëpitë botuese në prodhim dhe 6% për librin në shitje duket se do të japë efektet në frenimin e botimit të titujve të rinj dhe në ecurinë e shitjeve.

/Ora News