Ardi Veliu, kryepolici që negocioi fundarratinë e Balilit

Nga Lorenc Vangjeli

Ka një ngulm maniakal në Tiranë për të t’u ndarë sipas një linje të përcaktuar qartë pushteti edhe për gjërat më të thjeshta: maxhoranca e quan arrestin e të dyshuarit Balili si sukses të policisë, opozita e relativizon si një vetëdorëzim të tij në këmbim të garancive të dyshimta.

Njëlloj si tifozët në stadium apo dashuria në krevat, edhe në këtë rast, ka pak vend për logjikën elementare që mund të sugjerojë edhe bashkëjetesën e këtyre dy alternativave përjashtuese me njëra-tjetrën, sado që kjo duket e çuditshme: pra, edhe sukses i policisë, edhe vetëdorëzim!

Presioni i dhjetra aksioneve të policisë, prerja progresive e burimeve të biznesit, jeta nën një survejim ekstrem dhe me një fund që dihej që do të vinte herët a vonë, e bënë personazhin më të kërkuar në Shqipëri të zgjidhte vetëdorëzimin me fund “të tmerrshëm”, përballë tmerrit pafund.

E vetmja pikë ku të gjitha palët bien dakort, por sërish në mënyra të ndryshme, është roli që ka luajtur drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit në këtë histori.

Drejtuesi madhor Ardi Veliu, që për koincidenë është gjithashtu delviniot si Klement Balili, është njeriu që negocioi dorëzimin e tij.

Kryeministri apo dhe Ministria e Brendshme, pak ose aspak e kanë duartrokitur publikisht këtë akt vetjak, kurse opozita thjesht e ka lënë në heshtje.

Veliu mundi të bëjë atë gjë, të cilën dështuan ta bëjnë të tjerët përpara tij. Ka bërë detyrën për të cilën paguhet me besimin e publikut dhe është betuar ta bëjë si ushtarak! Sot, falë edhe Veliut, në Shqipëri ka më shumë besim tek policia që publiku dëshiron të këtë në shërbim të tij. Falë suksesit të tij, kemi një debat më pak në Tiranë, në të cilën vetëm dështimi është lajm.

Dy delviniotët e lindur në të njëjtin ambient, sot janë ndarë në dy skaje të kundërt. Në skajet që i largon ligji, njërin si gjahtar e tjetrin si gjahun tashmë të kapur. Mbasi ishte kërkuar kudo për t’u gjetur aty ku pritej më pak.

Javanews.al