Samanta tregon prapaskenat e klipit ”Vonë” (VIDEO)

Këngëtarja e njohur, Samanta Karavella, ka vendosur ta nisë këtë vit në një mënyrë mjaft speciale, pikërisht duke publikuar projektin e saj më të ri muzikor. Artistja ka bashkuar fuqitë me reperin e njohur, Elinel për këngën e titulluar “Vone”. Këngtarja e talentuar ka zgjedhur një ditë tepër të veçantë për të publikuar këtë projekt muzikor, pikërisht në ditën e lindjes së nipit të saj, Ethan.

“Gëzuar Ditëlindjen Ethan. Vendosa ta publikoj këtë këngë në ditën e lindjes tënde se ti ishe i pari që e këndove me zërin tënd engjëllor! Faleminderit që na e zbukuron çdo ditë. Teja të do pafund”, shkruan në një postim në Instagram këngëtarja. Në një intervistë të dhënë për “Wake Up” në Top Channel dhe Top Albania Radio, Samanta ka treguar se kjo këngë është punuar para një viti por këngëtarja vendosi ta finalizonte pikërisht tani. Ajo ka shtuar gjithashtu se fillimisht kënga ishte menduar të ishte “solo” por producenti i saj kishte menduar që t’i jepte një larmishmëri këngës dhe kështu ftuan Elinel, Eminemi i Shqipërisë, siç e quan vetë Samanta.

Me vijën melodike të vetë këngëtares dhe me tekst të Elinel, “Vone” ka tërhequr vëmendjen e publikut shqiptar, duke sugjeruar që kjo këngë të futej menjëherë në klasifikimin e “The Top List”, duke mbyllur listën e kësaj jave. Klipi ka qënë një ndër temat e shumë diskutuara sa i përket këtij projekti muzikor. Samanta ka zgjedhur ta xhirojë videoklipin në Kolashin, e veshur me fustan në mes të dëborës. Pavarësisht se ka hasur shumë vështirësi, këngëtarja tregon se ishte e vendosur ta bënte diçka të tillë, duke qënë se askush nuk e kishte bërë deri më sot. Samanta gjendet në klasifikim edhe me dy projekte të tjera muzikore, “E jotja” dhe “Kush jam”, të cilat renditen përkatësisht në vendin e 84-t dhe 96-të.