Qeveria e Çeços…

Fejton nga Thoma Goga –

Këtë vit e fillova mbarë. Nuk thotë kot populli; kur të vjen e mira, hapi derën… Më doli një shërbim andej nga jugu. Ja të shikonim rrugët e ngrira nga dimri i fortë. Ky shteti ynë, i qofshim falë, i shkrin edhe me kripë. Me këtë rast ktheva nga stanet e byrazerit të madh. Çeçua “i shkrin” ngricat ndryshe. Të vë përpara një faqore raki, djathë, gjizë e turshi. Të duket koha behar, që thua ti. Kështu bëja një rrugë e shumë punë. Merrja dhe ca bulmet bio, se në metropol ka të ngjarë të hash sapunin për djathë…

Eh, sa u gëzuan kafsharët! Çeçua në këto raste “e çon” dorën fare. U futëm te ajo kasollja “e pritjes”, ku një zjarr bubulak ta bënë surratin gjak. Erdhën dhe kafsharët, pasi u kishin hedhur bagëtive “hajet” e mëngjesit. Çeçua, që i ngordh fare ceremonitë me dolli, ngriti faqoren:

– Ja më rruaçi e ju paça! Të ngremë këtë dolli për fillimin mbarë të vitit të ri. Mirë se më erdhe byrazer! Ke ardhur si me porosi. Bëre këmbë i pari në stanin tim, se unë ty të kam edhe për mbarësi. Do bëjmë një si punë analize për vitin që lamë pas. E mbyllëm marshallah. Pjelloria ishte e lartë, bulmeti na shkoi mirë. Nami na ka dalë se po shkojmë më shpejt drejt Europës. Edhe stanet e Tepelenës e të Tërbaçit i kemi lënë pas. E dini dhe ju se ata kanë ca miq me okë. Po dhe ne nuk e hamë thatë. Jemi kockë më e fortë. Shëndeti i parë për këta kafsharët e mi. Me djem si këta gjynah të rënkojë Shqipëria. I kam flori e shkuar floririt. Gëzuar!

Të gjithë ngritëm faqoret. Disa nga kafsharët, që i kanë “pompat” e reja, i thanë fare. U nxorrën fundin faqoreve.

– Merreni shtruar çuna,- ia bëri Çeçua, -se do bëjmë dhe një çikë informacion politik. Nashti kam shëndetin e dytë. Për qeverinë e fshatit tonë. Këtë dolli e kemi me fund se në këtë qeveri bëj pjesë dhe unë. Për një çast më ngriu faqorja në dorë. Nuk e di ku do dilte Çeçua me këtë dolli. Se romuzet e tij s’kanë të sosur. Ta kishte për qeverinë e madhe, apo siç e ka  zakon; me një gur vriste dy zogj…

– Na thuaj ndonjë llaf, se mbemë në errësirë, o shef Çeço, – u hodh një kafshar.

– Që thoni ju, mbrëmë ngritëm qeverinë e fshatit, – nisi informacionin Çeçua. – E kishim lënë të mblidheshim fshatçe të vidhi i Prokopisë, por na ndoqi shalëthara se kërkonte “qira”… Pastaj vamë te klubi i fshatit. E ç’vate atje, mo! Pas dopios së tretë, filluam të zgjedhim “ministrat” e rinj.

– Na thuaj kush u zgjodh “krieministër”, – u dëgjua nipi i Pinxho Kapellës.

– Duro, o kulaku i derrit. Në fund do ta mësoç, – sqaroi shefi i stanit. – Mbledhjen e hapa unë si “krieplak”. Ju e dini se këtë “detirë” nuk e lëshoj deri sa të jem gjallë. Zgjodhëm të parin ministrin e mbrojtjes. Këtë postiqe e mori i biri Hakes. E dini pse? Sepse ka 35 vjet që nuk i heq rrobat e zborit… Të dytin ministrin e bujqësisë. Nipi i Sherifesë që tokën e tij ka 25 vjet pa punuar dhe blen presha në pazar…

– Hë, maskarai, – u hodh njëri që i kishte lyer flokët me gjalp dhie. – kur u bëra unë synet, desh ma preu fare…

– Pusho ore, kokëhirrë, -ia priti Çeçua.- Do kishte bërë mirë të kishte prerë vetëm kokën…

Ca qeshën, ca kthenin faqoret. Unë bëja sehir. Gallatë hesapi. Po një pyetje më griste dhe mua.

– O byrazer, po ministër të jashtëm, kë zgjodhët?

– Donin të vinin një kafshar nga Tërbaçi, që është dhëndërr në fshat, – shpjegoi Çeçua. – Aty nuk m’u durua fare. “E kemi bërë një herë dhëndërr. Nuk marrim ministër me “qira”… Pse atë do mbajmë gjithnjë lart… Vate punë e madhe. Hë për hë, u la bosh vendi. Po në dopion e katërt, u hap prapë kjo mesele.

– Ore, po “krieministër”, kush u zgjodh. Kjo na duhet më shumë, – pyeti prapë nipi i Pinxhos.

– Po ju e dini se me kushtetutë ai që është “krieplak”, është dhe “krieministër” në fshat, – tha shefi i stanit.

– Ta ngremë me fund për “shefin” e qeverisë, – ngiti zërin ai “kokëhirra”.

– Si vate ajo puna për ministrin e jashtëm, sepse nuk mora përgjigje? – s’mu dura mua.

-Në fillim, – vazhdoi Çeçua, – u ngrit njëri. “Unë them të vëmë Babalen se ai bredh nga një shtet në tjetrin. Mbeti jashtë e nuk e kapin dot…”. Pa iu ktheva me zë të lartë. “Ulu poshtë, edepsëz, ai është në kërkim ndërkombëtar. Ne e duam qeverinë e fshatit të pastër si qelibar”. Ja kështu, me ligje, pa ligje e mora vetë edhe këtë postiqe…

– Kishe kundërshtarë në këto vendime, apo të dhanë hak, – hodha unë, ashtu kot, një “shashkë”…

-Dëgjo këtu, o byrazer.- Me hak pa hak, në qeverinë time ka Çeçua biçak…

Dhe këtu informacionit politik i erdhi fundi. Shkurt hesapi; “shefi i qeverisë” në fshat i vuri kapak…