Pangjashmëritë e rastit Lleshi dhe rastit Cakaj

Presidenti Meta brenda pak javëve tregoi se Kushtetuta dhe integriteti i Presidentit janë dy gjëra që nuk negociohen. Kushtetuta është detyrim ligjor dhe paralel me zbatimin e saj vjen dhe integriteti i Kryetarit të Shtetit. Ilir Meta në pak javë manifestoi se nuk është një “noter” qeveritar, ndonëse vendimet e tij për pak sa nuk shkuan në përplasje të madhe institucionale, por prapë ai tregoi se të zbatosh Kushtetutën kërkon kurajo dhe vendosmëri.

Ilir Meta krijoi të parin precedent presidencial, ku për pak nuk dekretoi ministrin e brendshëm Sandër Lleshi, nëse nuk do të nxitonte ministrja e Mbrojtjes, me porosinë e kryeministrit, të kërkonte zyrtarisht largimin e kandidatit për ministër nga shërbimi ushtarak aktiv. Kushtetuta e kishte të prerë se nuk lejohej dhe Ilir Meta këtë kërkoi; zbatimin e Kushtetutës.

U krijua shumë zhurmë ato ditë rreth faktit që Presidenti nuk firmos gjithçka çon kryeministri i radhës, duke u ndarë në rastin Sandër Lleshi, kampet në pothuaj 50 me 50 përqind. Gjithsesi Presidenti e firmosi në kufinjtë e fundit kur qeveria plotësoi kushtet kushtetuese për Sandër Lleshin.

Por rasti Sandër Lleshi dhe personi në fjalë nuk ngjajnë askurkund me rastin Gent Cakaj si kandidat për ministër i jashtëm apo me CV e këtij të fundit. Gjenerali që u bë ministër kishte vite pune, karrierë të spikatur, njeri me integritet. Rasti Cakaj është diametralisht i kundërt me Sandër Lleshin.

Tashmë janë publike CV-ja e tij, mosha pa eksperiencë pune, pa njohuri diplomatike për karriken ku rri (të paktën deri tani), me deklarata të pamenduara apo të nxituara, pasi nuk mund ta akuzojmë se i ka bërë me qëllim për ndryshim kufijsh mes Kosovë-Serbi. Por ai del se nuk ka zbatuar ligjin për Çertifikatën e Sigurisë për sekretet shtetrore. Kryeministri tha se është njeri shumë i ditur, por diturinë nuk e ka manifestuar për publikun deri më sot, bile nuk e kanë lenë as të dali në debatet televizive këto ditë për ti parë dituritë e tij.

Njeriu i ditur nuk bën kompromis me asgjë, kur flitet për dinjitetin e personalitetin e tij.

Presidenti Meta mori diku te 90 përqind mbështetje publike se përse nuk e dekretoi. Natyrisht ai mund të jetë djalë shumë i mirë dhe i lexuar, por asnjeri në Shqipëri (edhe në Kosovë) nuk pati mundësi për ta parë me sytë e mendjen e tij atë thes me kulturës që ai mban në shpinë e në zyrë. Deri më sot mosdekretimi i rastit Cakaj është quajtur një vendim i matur dhe kushtetues i Presidentit Meta. Kishte dhe personazhe “mielli serb” apo analistë që donin sherrnajë ndërinstitucionale, pasi kështu jetojnë më mirë se janë të “dobishëm” për kampin qeveritar, por nuk ia vlen të harxhohet kohë me të tillë persona, të cilët kur ka paqe dhe normalitet demokratik ndërinstitucional mbeten si “peshku pa ujë”.

Për t’u rikthyer te tema e shkrimit mund të thuhet se Ilir Meta manifestoi integritet duke mbajtur lart figurën e një kryetari Shteti, tregoi se Presidenti nuk është thjesht noter që firmos çka sjellë një kryeministër si dhe dha mesazhin se të jesh president nuk është vetëm shëtitje nëpër botë nëpër konferenca apo takime me gota shampanje, porse don edhe këllçe të përballësh me ato që e duan Kushtetutën dhe firmosësin e dekretëve një “pensionist” që vulos pa parë se ç’thotë Ligji Themeltar i Shtetit.

Rasti Lleshaj ishte një rastësi e cila tregoi se kur qeveria korigjon veprimet e saj në raport me Kushtetutën, firmoset. Aq me tepër kur kandidati është edhe personalitet. Ndërsa te rasti Cakaj ishte sfidues jo vetëm ndaj Kushtetutës e normalitetit diplomatik, por edhe shantazhuese qeveria, natyrisht kryeministri. Edhe përçmues ndaj gjithë atij kontigjenti diplomatësh dhe figurash potenciale që ka PS-ja, shoqeria civile dhe Kosova.

Sot Ilir Meta refuzoi edhe njëherë kandidatin për ministër të jashtëm, por firmosi emrin e kryeministrit edhe si ministër, një detyrim kushtetues i papërcaktuar qartë për raste të tilla, porse duhej kurajo, vendosmëri dhe zhbllokim nderinstitucional, pasi Shqipëria nëse lihej pa ministër të jashtëm mund të izolohej nga ana diplomatike. Ditmir Bushati do të detyrohej të jepte dorëheqjen, edhe nëse Presidenti nuk e ç’dekretonte.

Rasti Cakaj tregoi se kryeministri nuk donte t’ia dinte për gjithë atë aradhë ambasadorësh shqiptarë, politikanë me karrierë në PS, deputetë me integritet në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, por e mbylli me emrin e tij si ministër. Edi Rama ka marrë një barrë të madhe mbi supe si ministër i jashtëm.

Nuk mund të nxitohemi të flasim, pasi presim se si do jetë në këtë post, i cili është provuar vetëm në vitet e para të dikaturës komuniste, kur Enver Hoxha ishte kryeministër dhe ministër i jashtëm./S.P/