Kumbaro i lë vendin, ministrja e re e ”thumbon”

Mirela Kumbari i dorëzoi sot detyrën ministres së propozuar nga kryeministri Rama, Elva Margariti në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e ministrisë. Pas fjalës së rastit të Kumbaros, radha ishte për Margaritin, e cila nuk e fshehu shqetësimin e saj lidhur me buxhetin e dikasterit që do të drejtojë në vijim.

“Shikoj sot një detyrë shumë të madhe që më është ngarkuar dhe ndiej mbi të gjitha nder, nder se më është besuar një ministri me buxhet të vogël por me përgjegjësi të madhe. Punët e mira bëhen me ekip. Unë besoj se së bashku do të ndërtojmë vazhdimësinë e një pune, që ju e keni nisur që Mirela e ka nisur dhe e ka çuar përpara me shumë përkushtim e me shumë rezultate. Kjo për mua është e vetmja sfidë, të arrijmë të mbajmë të njëjtin ritëm”, deklaroi Margariti.

Gjatë ceremonisë u shfaq gjithashtu edhe një klip ku ishin përmbledhur disa prej momenteve kryesore që shënjonin punën e Ministrisë së Kulturës në afro gjashtë vite.