E vërteta e historisë së ndërtimit të Pallatit Mbretëror, sot Pallati i Brigadave!

Letër e hapur shtypit shqiptar mbi të vërtetën e historisë së ndërtimit të Pallatit Mbretëror, sot Pallati i Brigadave!

Nga Bujar Ferra –

Shkas i shkrimit të kësaj letre u bë dokumentari me titull “Historia e ndërtimit të objektit simbol, Pallati Mbretëror sot Pallati i Brigadave” i ritransmetuar nga televizioni Klan, në emisionin Opinion.

Nuk dëshirojmë as të ulim dhe as të ngrejmë vlerat e ideatorëve dhe atyre qe e realizuan këtë dokumentar. Si fëmijë te Z.Xhemal Ferra e ndjejmë për detyrë të mbrojmë dhe ta vëmë në vend djersën e derdhur nga babai ynë për atë objekt që e kreu në sipërmarrje. Mbasi e pashë me vëmendje dokumentarin e sipërpërmendur dhe dëgjova me vëmendje folësin më lindi i drejta të bëj sugjerimet e mia për të informuar mbi të vërtetën e kësaj sipërmarrje, mbështetur në dokumentet që kemi marr më shumë mundime nga arkiva e shtetit dhe ajo e ndërtimit në Shqipëri.

Ne atë dokumentar nuk tregohet e plotë historia e këtij objekti, si filloi për t’u ndërtuar aty në kodrën e Mulletit, kush e mori në sipërmarrje, kush u caktua të udhëheq punimet dhe a përfundoi objekti! Folësi në dokumentar thotë se ndërtimi filloi në vitin 1938, mbas vendimit që morri parlamenti dhe qeveria e kohës. Ne sqarojmë se shumë përpara vitit 1938 ishte marr vendimi që të ndërtoheshin dy vila, një për ish-mbretin dhe tjetra për familjen e tij. Për këtë ishte caktuar një fond  prej 180 000 Frar (monedhë e asaj kohe) dhe në sipërmarrje ju dha babait tonë Xhemal Ferra, sipas vendimit të qeverisë së asaj kohe.

Për nevoja të mbretit dhe të qeverise të kohës u mendua që njëra nga vilat (ajo e ish-mbretit) të kthehej në pallat, ku përveç banimi të kishte dhe ambiente te tjera për shërbime qeveritare të pritjes, etj. Për këtë arsye qeveria e asaj kohe merr vendimin të ngarkojë Ministrinë e Punëve Botore  (Ministria e Ndermit e asaj kohe) te lidhe kontrate private me shoqërinë XH.FERRA-H.SHEHU dhe caktohet vlera e re për ndërtimin e objektit ne 220 000 Frar. Përveç sa u tha me sipër, qeveria e kohës caktoi dhe dy inxhinierë, Vasil Nocken dhe Giulio Berte (Italian) që kishin kompetenca te plota për kontrollin cilësor e materialeve, zbatimin e projektit dhe shpenzimet që shoqëria do të bënte për ndërtimin e këtij objekti.

Folësi nuk pushoi se përmenduri Inxh. Berte, ndërsa inxhinierin shqiptar Vasil Nocka nuk u përmend në asnjë moment, ndonëse kompetenca dhe kontributi i tij ishin shume me më vlerë. Për rendësinë qe kishte objekti shoqëria Ferra-Shehu derdhi në bankën e shtetit, sipas rregullave, shumën prej 10 000 Frar.

Për rendësin që kishte ky objekt kemi vënë re, duke u mbështetur në dokumentet, se rruga për realizimin e tij ishte e vështirë sepse çdo gjë kalonte në sitën e imtë të këtyre dy specialistëve dhe dikastereve që ishin ngarkuar ta kontrollonin.

Persa i përket mbarimit te këtij objekti, mjafton të përmend vetëm një fakt, shoqëria Ferra-Shehu në pranverën e vitit 1939, pak para pushtimit te Shqipërisë, i paraqiti inxhiniereve situatën përfundimtare të punimeve me vlerë 246 000 Frar, dokument të cilin e disponojmë. Dy inxhinieret kontrollues, këtë situatë e korrigjuan me shkrim dore dhe situata në fjalë arriti vlerën reale 267 000 Frar.

Në dokumentar përmendet që objekti u la i pambaruar, por tejkalimi i vlerës prej 47 000 Frar tregon që objekti ishte mbaruar dhe i ishte dorëzuar administratës së kohës. Pra në kundërshtim me atë që thuhet dhe sipas provave që zotërojmë, objektin nuk e mbaroi Iacomoni, te cilit i bëhen elozhe me shumë seç duhet në dokumentar, ai objektin e gjeti gati të mbaruar nga babai ynë.  Ai nuk pati kohë aspak të merrej me këtë objekt, sepse po merrej me përgatitjen e listave për burgosjen dhe internimet te njerëzve patriotë e të ndershëm, që në fillim të muajit Qershor i dërgoi në kampet e internimit në Itali. Në këto lista bënte pjese babai dhe xhaxhai ynë, babanë  e dërguan në Colfiorito dhe xhaxhanë e dërguan në Abruzzo.

Iacomoni dhe shërbëtoret e tij vendosen vetëm emblemat dhe stemat e fashizmit dhe bën ndonjë ndryshim tepër te vogël, sepse inxhinier Berte ishte i tyre. Atij objekti nuk i munguan as instalimet elektrike dhe as ato hidraulike, që ishin impiante të veçanta  dhe të vendosura në objekt. Po ashtu sipas kontrate babai ynë realizoi rrugën lidhëse të objektit me rrugën nacionale (Rr. e Elbasanit), 570 m e gjatë dhe murin mbajtës, sepse kodra e Mulletit pati një rrëshqitje në atë kohe.

Në këtë dokumentar nuk përmendet ne asnjë moment puna që është bere nga Z.Xhemal Ferra, na takon neve dhe vetëm ne që punën e atij 76-vjeçare ta mbrojmë aty ku duhet, mundësisht mos të hidhet mjegull mbi të. Punën e tij e vlerësuan presidenti Gronki dhe kryeministri Fanfani i Italisë për kontributin ne zhvillimin e industrisë tekstile. Po ashtu puna e tij u vlerësua dhe nga SHBA, nga presidenti Xhonson dhe me vone ai Nixon, ne lidhje me kompaninë e madhe te pambukut Anderson Clayton, i ftuar dhe zyrtarisht në ceremoninë e emërimit të Nixon, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Besoj dhe shpresoj se këto mjaftojnë për t’i dhëne vendin që i takon në vendin e tij të lindjes, që ai e deshi, e mbrojti dhe punoi pa reshtur deri në frymëmarrjen e fundit.

 

Milano 17.01.2019