Denaj: Punësimi i studentëve edhe në ministrinë e Financave dhe Ekonomisë

40 deri në 50 studentë kryejnë praktikën në ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ndërkohë që jemi në prag të finalizimit të një partneriteti me universitetet për punësimin e studentëve.

Kështu u shpreh sot ministrja e Financës dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë prezantimit në Tiranë të Paktit për Universitetin, me ministrat e përfshirë në grupin e punës, rektorë, dekanë, pedagogë dhe student, ku ndër të tjera theksoi se, “procesin e formalizimit të partneritetit me universitetet po e zgjerojmë edhe në fusha të tjera, siç është kërkimi shkencor, konsulenca apo studimet e fizibilitetit ku ministria është e angazhuar”.

“Ky është një investim që i parë ndër vite duhet të zgjerohet dhe institucionalizohet. Në këtë kuadër, një ekip nga ministria e Financave dhe Ekonomisë do të shoqërojë këtë proces nga moment i hyrjes së studentëve deri në punësim të tyre me qëllim që të adresojmë nevojat në përputhshmëri të plotë, mes çdo individi dhe fushës ku kontribuon”, deklaroi ajo.