Banda me policë e doganierë

25 persona, që të gjithë ish-policë dhe doganierë, kanë përfunduar të pandehur në Gjykatën e Krimeve të Rënda nën dyshimet se kanë ndihmuar trafikun e të paktën 8 tonëve drogë me destinacion Italinë.

Prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara dorëzuan në gjykatë si të pandehur që nga ish-shefi i stacionit policor Durrës, Julian Doraci, 4 agjentë antidrogë në këtë port, Medi Demiri, Fatmir Plaku, Agron Kapllani e Mexhit Xhixha, deri tek kontrollorë e përgjegjës turni. Droga e zbuluar në Itali në shkurt 2017 në Portin e Ankonës, kishte kaluar lehtësisht në Portin e Durrësit pas deklarimit të shoferit maqedonas se po transportonte fletë polesteroli.

Prokuroria shqiptare thotë se kamioni ka hyrë në Shqipëri në 4 shkurt 2017 përmes Qafë-Thanës dhe se autoritetet atje e kishin kontrolluar. Kamerat e sigurisë në pikën kufitare tregojnë shkeljet e gjithë punonjësve që ishin në turn ashtu siç kuptohet se të njëjtat shkelje kanë vijuar edhe në Portin e Durrësit pasi asnjëri nga punonjësit e policisë nuk ka ushtruar kontroll në kamion.

Episodi i dytë ka sërish lidhje me trafikun e dy tonëve drogë që ka dalë nga Shqipëria në 19 mars 2017. Ngarkesa ishte fshehur në pllakat e gipsit dhe as efektivët e policisë, as agjentët doganorë nuk kanë kryer kontrollet e domosdoshme.