Alvesh vijon të shijojë pushimet, sa shumë paqartësi në Vlorë!?

Danilo Alvesh është vetëm maja e ajsbergut e problemeve që kanë mbërthyer Flamurtarin. Në Vlorë çdo ditë që kalon pa u zgjidhur problemi më pagat, është një minus i madh për ekipin i cili duhet të përgatitet për pjesën e mbetur te sezonit.

Sinan Idrizi shprehet i bindur se Alvesh do të rikthehet sërish në Vlorë, ashtu siç ka bërë dhe më herët, por sulmuesi as që ka ndërmend të prish pushimet e tij, jo të paktën pa u paguar sipas kontratës. Dy palët i janë drejtuar FIFA-s me një shkresë zyrtare por në pritje të përgjigjes, Ilir Dajës i mungon sulmuesi kryesorë. Problemin më të madh që Daja kishte gjatë dy fazave të para ishte pikërisht fakti që nuk e pati kurrë në dispozicion grupin e plotë. As në këtë fazë përgatitore, Daja jo vetëm që nuk mori asnjë dhuratë por është duke përgatitur grupin pa Danilo Alvesh dhe pa qenë i qartë se çfarë do të ndodh në të ardhmen.

Pakënaqësitë janë të mëdha në radhët e ekipit pasi jo vetëm Alvesh por dhe disa lojtarë të tjerë kanë kërcënuar se do të largohen nëse nuk paguhen, në kushte të tilla vështirë të besosh se Flamurtari mund të qëndrojë në valle për objektiva të rëndësishëm.