Opozita vendos:Protesta deri në rrëzimin forcërisht te Kryeministrit Edi Rama

Të gjitha partitë e opozitës kanë dalë dje më një vendim të përbashkët: “nisjen e protestave deri në rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës”. Pas seancës të tensionuar për votimin e ministrave të rinj, ku opozita u thirr për dekor dhe nuk iu dha e drejta e fjalës, drejtuesit e opozitës deklaruan se situata në vend nuk lë hapësirë për asnjë dialog, por vetëm për reagim mbarëkombëtar. Në emër të gjithë partive opozitare, kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se largimi i Edi Ramës duhet të ndodhë më çdo çmim, duke nënkuptuar se tubimet do të jenë masive dhe përplasje e hapur qytetare me kryeministrin. Sipas kreut të PD, vendi nuk ka më qeveri e parlament dhe gjithë segmentet e shtetit janë të vëna nën kontroll nga kryeministrit Edi Rama. Zgjidhja e kësaj krize të gjithanshme, sipas kreut të PD, është rrëzimi i qeverisë “Rama”, me çdo mjet. “Opozita është e vendosur t’i japë fund krizës politike dhe ekonomike ku është zhytur vendi. Prandaj, në përgjigje të mijëra mesazheve dhe duke dëgjuar zërin e qytetarëve, ne vendosëm të udhëheqim revoltën e qytetarëve me protesta popullore deri në rrëzimin e Edi Ramës. Ky është vendimi i Opozitës së Bashkuar”,- deklaroi dje Basha pas mbledhjes së partive të aleatëve opozitarë.

Edhe më e ashpër në qëndrimin e saj ishte Monika Kryemadhi, drejtuesja e partisë së dytë më të madhe në opozitë. Kryetarja e LSI u shpreh se në situatën ku ndodhet vendi nuk kanë më vlerë gjestet politike, si bojkoti apo reagimet publike. Duke bërë dhe një autokritikë për vete dhe për aleatët e saj frontin opozitar, Kryemadhi deklaroi se opozita nuk do të jetë më “zjarrfikësja e protestave”. Një deklaratë që nënkupton se Fronti Opozitar duhet të kishte shfrytëzuar më mirë protestat e studentëve, naftëtarëve dhe gjithë qytetarëve që morën hovë në fillim të muajit dhjetor. Dilemat e opozitës për këto protesta duket se i dhanë kohë kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë që të marrin nën kontroll situatën dhe t’i zbehin disi reagimet e qytetarëve. “Janë me qindra dhe mijëra studentë që bojkotojnë universitetin. Ke me qindra dhe mijëra qytetarë dhe prindër që suportojnë fëmijët e tyre. Ke minatorë, ke naftëtarë, ke biznese të vogla , të cilat janë gati. Deri më sot opozita ka marrë damkën si zjarrfikës, por tashmë nuk ka më, për të fikur zjarrin e protestës, por opozita do të vazhdojë, do të ndjekë dhe do të vihet në krye të gjithë protestave”,- deklaroi dje kryetarja e LSI. Duke premtuar lajme të rëndësishme në ditët në vijim, Kryemadhi shtoi se  “çdo njeri që i jep oksigjen qeverisë së kapur me në krye një kryeministër të çmendur psiqik dhe hajdut psiqik, por edhe klinik, është tradhti kombëtare”.

Qëndrimet e mazhorancës dje Kuvend dhe gjuha e përdorur nga krerët e koalicionit opozitar mund të përmblidhen vetëm në një frazë: “Përplasja po vjen”. 2019-ta duket se do të jetë viti kur skena politike dhe shoqëria shqiptare do të ndodhet para trazirave që mund të sjellin përmbysje të mëdha. Ajo që po shfaqet këto ditë në qëndrimet e politike dhe reagimet e opozitës, është vetëm fillimi i një krizë politike dhe institucionale që ka nisur shumë kohë më parë më qeverinë “Rama”. Pas gjashtë vitesh në pushtet me korrupsion galopant, abuzim me ligjet, kapja e të gjithë drejtësisë dhe institucioneve, marrja e qeverisë dhe shtetit në duart e vetëm një njeriu si Edi Rama, i ka lënë opozitës dhe qytetarëve vetëm një rrugë. Atë të reagimit dhe të përplasjes.

Përplasja këtë herë do të jetë fatale. Njëra palë digjet dhe ikën e sondazhet popullore tregojnë se koha e Ramës për të ikur ka ardhur. Ikja do jetë me destabilitet politik, pasi mafia dhe oligarkët janë bashkë me qeverinë./A.Marku/