Ministri Ditmir Bushati pritet të hap “letrat” në PS

Ditmir Bushati vazhdon të jetë ministër i jashtëm. Në mënyrë kushtetuese dhe ligjore ai është ministër dhe bën detyrën ndaj shtetit, ndonëse nga ana politike ai nuk ka mandat. Megjithatë Ditmiri duke qenë njeri me integritet dhe shtetar e di mjaft mirë se braktisja  e detyrës për shkak të politikës dënohet. Dënimi vjen nga shteti, por pikësëpari nga publiku.

Sot Ditmir Bushati priti homologun hollandez Stef Blok e ku më pas doli në një konferencë të përbashkët shtypi. Dy gjëra mbeten në mendjen e atyre që e ndoqen live konferencën. E para se pala hollandeze tha se për statusin e Shqipërisë nuk ka një vendim, pasi do presim raportin e ri të Komisionit Europian dhe më pas do vendosim. Kjo ishte krejt në të kundërt përsa na ka thënë kryeministri Rama se vendimi është marrë nga Komisioni e nuk ka raport të ri për ecurinë e Shqipërisë.

Pra vendimi në qershor do jetë në raport me një Raport të ri nga Komisioni Europian. Këtë e tha prerë ministri i jashtëm hollandez. Së dyti, ajo çka mbeti në mendje nga gjithë ajo mori fjalësh ishte fragmenti që tha ministri Ditmir Bushati kur u pyet nëse mund të ketë bërë gabime gjatë qëndrimit për më shumë se 5 vjet në këtë post.

“Mund të kem bërë më shumë se një gabim, por periudha e reflektimit nuk ka filluar ende. Të garantoj se do të jete reflektim i plotë” – u shpreh Bushati pas takimit që zhvilloi me homologun e tij holandez në Tiranë.

Pra ai tha me ton shkodrani, si prej Bushatllinjve, se “…periudha e reflektimit nuk ka filluar ende. Të garantoj se do të jete reflektim i plotë” . Natyrisht Ditmir Bushati nuk ka se ç’të reagojë për opozitën, sepse mendimi i tij për opozitën, dihet. Nuk ka se ç’të reflektojë për Presidentin, pasi ai po bllokon dekretin e shkarkimit të tij, sepse Meta ka bindjen se ministër më të mirë se Bushati, nuk ka ofruar deri tani kryeministri, bile edhe në raport me vetë Edi Ramën.

“Reflektimi” i Ditmir Bushatit mund të jetë në raport me PS-në, Edi Ramën dhe mënyrën se si qeveriset. Me sa duket si diplomat Bushati ka paralajmëruar kryeministrin. Dhe e bëri në mënyrën më të mirë të mundshme.

Publiku tani pret të dëgjojë “reflektimin” e Ditmir Bushatit!