Islami: Pasi vrau PS-së, Rama po vret dhe Rilindjen

Politikani, Kastriot Islami, deklaron se qeverisja Rama ka dështuar për shkak të vrasjes së parimit të meritës. I ftuar në Ora News, Islami duke komentuar ndryshimet në kabinetin qeveritar, thotë se Rama pasi vrau PS-në, po vret dhe Rilindjen.

”Kjo qeverisje ka dështuar se ka vrarë parimin e meritës. Rama kur erdhi fillimisht duke kërkuar të zaptonte PS e vrau PS me Rilindjen. Të gjithë këta që hiqen sot kishin vetëm një gjë të përbashkët, ishin klientelë e Rilindjes. Këta para 5 vjetësh kanë vrarë Partinë Socialiste. Kurse sot dalin 7 emra të rinj, po vritet dhe Rilindja dhe po kalohet nga vrasja e parimit të meritës, mediokriteti në anonimitet”.

Sipas tij, Presidenti po mundohet brenda mundësive të kufizuara të frenojë sadopak marrëzinë e Ramës. ”Politikisht qëndrimi më i saktë ndaj gjithë kësaj që po bën Rama është qëndrimin i opozitës, duhet shkuar në protesta.Presidenti po mundohet brenda mundësive shumë të kufizuara që krijon pozita të frenojë sadopak një marrëzi, apo një zullum që po trashet në nivele të paimagjinueshme. Në çdo vend të botës kur bëhen ndryshime të tilla bëhet një analizë, pse? Duke dashur të vërë në kontroll sistemin e drejtësisë, Rama ka vrarë dhe Gjykatën Kushtetuese. Sot jemi para një krize, në gropën që ka hapur vetë, ka rënë brenda”.