Çështja “Balili”. Presidenti Meta: Thirra Këshillin e Sigurisë për arrestimin e tij

Presidenti Ilir Meta në studion e gazetarit Ylli Rakipi në televizionin “News 24” ka folur sot për arrestimin e Klement Balilit.

“E përshëndes faktin që më në fund Klement Balili, një person i akuzuar për trafiqe do të përballet me drejtësinë. Pavarësisht nga dobësia e agjencive tona për të finalizuar një operacion, është ky presion i gjithanshëm, përfshirë dhe partnerët e cila detyroi të përballet me drejtësinë.

Kam dëgjuar shumë marrëzira. Rigels Balili, që është kryetar i Bashkisë së Delvinës, një person i verifikuar edhe nga ambasadat ishte një person që ishte drejtues kryesorë i LSI në Sarandë dhe në Delvinë. Rigelsi është nipi i tij, duhet të keni parasysh se janë një fis shumë i madh me 2 mijë apo 3 mijë veta. Unë nuk e di se çfarë mbështetje ka pasur nga ana e politikës. Unë asnjë herë s’kam pasur takim të veçantë me Balilin, veç rastit kur mund ti kem dhënë dorën kur inaugurua Santa Quaranta, ku kanë qenë 2 mijë veta. Edhe mund ta kisha takuar, sepse është një njeri që deri në atë kohë, sa pa u akuzuar, s’ka pasur të dhënë nga SHISH dhe nga institucione të tjera”- tha Meta.

Presidenti shtoi se personalisht ka qenë zyrtari i parë që kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për arrestimin e tij.

Në nisje të emisionit, gazetari Ylli Rakipi vendosi deklaratat e Edi Ramës në emisionin “Zonë e Lirë” ku akuzonte kreun e shtetit për shkelje të Kushtetutës.  I pyetur për akuzat e kreut të qeverisë, Edi Rama, Presidentit Meta tha se në çdo rast ka mbrojtur Kushtetutën. Kreu i shtetit hapi në studio Kushtetutën dhe shpjegoi se përse ligjet që ka kthyer ai janë në shkelje të ligjit themelor të shtetit.

“Qytetarët duhet të jenë të qetë, pasi çdo akt i Presidentit ka qenë dhe është në respekt të Kushtetutës dhe të mbrojtjes së interesit kombëtar”,- tha Presidenti Meta.