KADASTRA – Përtej fantazisë së Enver Hoxhës

Nga Sonila Bejtja /

Kushdo që lexon këto ditë me vëmendje dhe pa qenë aspak jurist, dy dekretet e fundit presidenciale për kthimin e dy ligjeve në kuvend, e më konkretisht Ligjit për Kadastrën, kupton fare qartë se ata që kanë dashur, lobuar dhe miratuar këtë ligj në kuvend, mund të them me plot gojën se kanë kaluar edhe përtej çdo fantazie të Enver Hoxhës:

Është fakt i njohur që Enver Hoxha edhe pse ua mori pronat shqiptarëve në ato vite duke i konfiskuar të gjitha këto pasuri atyre që me djersë e mund kishin arritur ti krijonin, atij dhe pushtetit të tij diktatorial, nuk u shkoi kurrë në mend ti tjetërsonin ato.

Arkiva e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij diktatorial, te paktën në dokumente zyrtare, i ruajti këto prona dhe në bazë të asaj arkive sot e kësaj dite pronarët kanë arritur të rimarrin pjesërisht apo të kompensohen për pronat e tyre.

Ndërkohë Ligji për Kadastrën i kthyer për rishqyrtim Kuvendit, nga Presidenti i Shqipërisë, është një përpjekje e hapur dhe flagrante për tjetërsimin dhe vjedhjen e pronave të shqiptarëve, në favor të “disa të tretëve”.

Pse?:

Agjencia e Kadastrës Shtetërore sipas Ligjit 111/2018 nga një Institucion që, bazuar në Kushtetutë, duhet të kishte në fokus të veprimtarisë së saj, vetëm regjistrimin e  titujve të pronësisë, shndërrohet tashmë me këtë ligj në një zyrë shtetërore nën varësinë e plotë të Kryeministrit, që lëshon lirshëm tituj pronësie (???), ndërhyn pa teklif në titujt e pronësisë ekzistues, i korrigjon, cungon apo ndryshon ato. Me pak fjalë, tani do të kemi një kryeministër, që do jetë dhe tapidhënësi/tapimarrësi i gjithë shqiptarëve, e do u shpërndajë atyre dhe titujt e pronësive.

 

Justifikimi në kor dhe infantil për hartimin e këtij ligji, janë sërish rekomandimet e BE, dhe sidomos garantimi i aksesit në këtë regjistër, të organeve ligjzbatuese, gjë që për habi të të gjithëve, garantohet plotësisht në kohën kur flasim, duke qënë se regjistri i pasurive të paluajtshme ka qenë gjithnjë i hapur për informacion për të gjitha këto organe ligjzbatuese.

Kompetencat e AKSH janë kompetenca administrative, dhe si të tilla nuk mundet kurrrësesi të tejkalojnë kompetencat e një gjykate e cila ka tagrin më plotë të vendosë ne lidhje me ndryshimet apo korrigjimet në titujt e pronësisë.

Kjo është një shkelje e hapur e kompetencave kushtetuese të organeve ligjzbatuese e si e tillë do të përbënte edhe një minë të vërtetë për të ashtuquajturën Reformë në Drejtësi e cila nuk ka më asnjë rëndësi, nëse, e përkthyer me këto ligje e akte nënligjorë, nuk ka kurrsesi si të jetë një reformë në shërbim të qytetarit.

Kjo tentativë është një akt që prek qartazi thelbin e demokracisë dhe kapitalizmin në vetvete, madje shkon edhe përtej diktaturës komuniste, e cila, për hir të së vërtetës, nuk guxoi kurrë të tjetërsonte, të paktën në dokumente zyrtarë, pronën e tjetrit.

Ia vlen të thërrasim në vëmendje një statistikë të frikshme që mbi 60% e konflikteve dhe vrasjeve të ndodhura në Shqipëri, kanë ardhur si shkak i konflikteve mbi pronën: Askush të mos habitet nesër nëse kjo statistikë do të rritej ndjeshëm në rast të miratimit me kokëfortësi sërish nga kuvendi, të këtij ligji.