Juventus fiton Superkupën e Italisë, i falet “specialistit” Ronaldo (VIDEO)

Juventus është fituese e Superkupës së Italisë për herë të 8-të në historinë e saj. Skuadra e Allegrit ka triumfuar 1-0 në finalen e zhvilluar në Jeddah ndaj Milanit. Gattuso vinte me shumë mungesa, pasi edhe Gonzalo Higuain nuk ishte i gatshëm nga minuta e parë për shkak se ishte me gripë gjatë ditës.  Ndeshja starton me një ritëm shumë të lartë, teksa sinjalin e parë e jep Douglas Costa me një goditje të bukur në hyrje të zonës, e cila përfundon ngjitur me shtyllën e Donnarumma-s. Ndeshja është e ndezur me Milanin që mbrohet shumë mirë dhe kontrollon mesin e fushës. Në krahun tjetër Juventus provon që të vendosë në vështirësi Milanin, por Dybala nuk është në ditën e tij më të mirë, duke humbur shumë topa në sulm.

Në minutën e 40-të, skuadra torineze i afrohet shumë golit me një veprim akrobatik të Cristiano Ronaldos, teksa goditja e tij përfundon ngjitur me shtyllën. Calhanoglu ndërkohë vendos në vështirë portierin e bardhezinjve në minutën e fundit të fraksionit të parë. Fraksioni i dytë nisi më mirë për skuadrën e Gennaro Gattusos që i afrohet shumë golit të avantazhit në minutën e 47-të me një goditje të fortë të Cutrones, që ndalet në tranversën e portierit Szczęsny. Juventus kundërpërgjigjet menjëherë me aksione të shpejta të Cristiano Ronaldos, i cili vendos në provë portierin Donnarumma në minutën e 58-të, por “gardiani” kuqezi grushton goditjen e tij. 2 minuta më pas Calhanoglu tenton me një goditje të fortë nga distanca, por përfundon pak jashtë kuadratit.

Ndeshja do të merrte një tjetër rrjedhë në minutën e 61-të, Pjanic jep një pasim fantastik në zonë për Cristiano Ronaldon, i cili realizon lehtësisht me kokë. Ky është goli i 16-të këtë sezon për sulmuesin portugez, i cili ka realizuar 14 gola në kampionat dhe nj në Champions. Milani kërkon të reagojë menjëherë, teksa Gattusso hedhë në fushë Higuain dhe Borinin për të përforcuar sulmin. Në minutën e 74-të, kuqezinjtë marrin një tjetër goditje, pasi Kessie ndëshkohet me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër ndaj Emre Can në mesin e fushës.

Arbitri Banti pasi pa pamjet me “VAR” vendosi që ta ndëshkonte futbollistin nga Bregu i Fildishtë. Kuqezinjtë në minutat e fundit kërkuan një 11-metërsh pas një ndërhyrje të Emre Can, por arbitri vendosi që gjithçka ishte e rregullt, edhe pasi u kontrollua nga “VAR”. Në minutat shtesë, bardhezinjtë kishin disa mundësi të mira shënimi me kundërsulme të shpejta, por Bernandeschi dhe Ronaldo nuk arritën që të shfrytëzonin hapësirat e shumta të lëna pas nga Milani.