Opozita: Protesta popullore deri në rrëzimin e Ramës

Drejtuesit e partive opozitare vendosën mbrëmjen e sotme që të nisin protestat mbarëpopullore për rrëzimin e qeverisë “Rama”.

Njoftimi i vendimit të Frontit Opozitar është njoftuar nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Pas takimit me aleatët në selinë e PD, Basha deklaroi se “Ne (opozita) kemi vendosur t’i japim fund krizës ku është vendi, ne vendosëm të udhëheqim protestat mbarëpopullore, deri në rrëzimin e Edi Ramës“.

I pyetur për detajet e protestave, Lulzim Basha njoftoi se të shtunën krerët e koalicionit opozitar dhe PD do të japin një panoramë më të plotë të gjithë strategjisë që do të ndjekin dhe format e protestave që do të përdoren.

VIDEO/Deklarata e kreut të PD, Lulzim Basha në emër të opozitës:

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË EMËR TË OPOZITËS SË BASHKUAR:

Gjatë gjithë kësaj kohe opozitës i është kërkuar kthimi në parlament. Sot, e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota pa sesi në parlament, Edi Rama i hoqi opozitës dhe të drejtën më elementare kushtetuese, të drejtën për të folur. Vendi po rrëshqet drejt autoritarizmit dhe diktaturës. Edi Rama ka tani një parlament privat, për të shkatërruar interesat kombëtare, ka ndërtuar një qeveri private për të vjedhur qytetarët, ka ndërtuar një shtet privat për të dhunuar qytetarët.

Opozita është e vendosur t’i japë fund krizës politike dhe ekonomike ku është zhytur vendi. Prandaj, në përgjigje të mijëra mesazheve dhe duke dëgjuar zërin e qytetarëve, ne vendosëm të udhëheqim revoltën e qytetarëve me protesta popullore deri në rrëzimin e Edi Ramës. Ky është vendimi i Opozitës së Bashkuar.

Pyetje: Kur do të nisin protestat?

Basha: Ditën e shtunë, Partia Demokratike do të mbledhë Këshillin Kombëtar, për të përcaktuar ditën e nisjes së protestave popullore, dhe secila prej partive anëtare të koalicionit të opozitës së bashkuar, përfaqësuesit parlamentarë të të cilëve dhe përfaqësuesit e tjerë po kështu do të mbledhin forumet e tyre dhe do të vendosin dhe do t’u komunikojmë shumë shpejt nisjen e protestave popullore sipas vendimit që kemi marrë.

Pyetje: A do të shkoni në parlament paralelisht?

Basha: Ne do të bëjmë gjithçka për t’i shërbyer objektivit që shpallëm këtu, largimit një orë e më parë të Edi Ramës.​