Emërimet politike/ Lala pyet ministren: Pse e anuluat konkursin e parë

Gazetarja e kronikës, Klodiana Lala, të mërkurën, i ka kërkuar ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj arsyet e anulimit të konkursit të parë të rekrutimit në administratën e burgjeve.

Lala tha se në vitin 2017-të, Ministria e Drejtësisë ka zhvilluar një konkurs në të cilin kanë marrë pjesë rreth 900 aplikantë, duke kryer edhe testimin fizik, por më pas ky konkurs është anuluar, ndërsa i kërkoi ministres edhe arsyet e anulimit të këtij konkursi.

Sipas saj, Ministria e Drejtësisë, nuk iu dha asnjë arsye aplikantëve për anulimin e tij.

Lala tregoi se për konkursin e dytë, për të cilin foli edhe ministrja, përkon me momentin kur Arben Çuko është përgjuar dhe fliste për emërime politikë në administratën e burgut.

Gazetarja iu rikthye edhe njëherë faktit se për çfarë arsye ministria e anuloi konkursin e parë dhe pse ende nuk është dhënë asnjë shpjegim nga ky institucion.