Deputetët e PS, kursin për shofer e paraqitën në parlament si diplomë universiteti

Disa deputetë kanë gjetur marifete të tjera për t’i shtuar vlerat CV-së së tyre në fushën e arsimit. Ata bëjnë kurse të rëndomta disajavore ose mujore jashtë shtetit dhe më pas i fusin në CV sikur janë të diplomuar. Këtë e paraqiti Top Story.

Rasti më tipik i kësaj hileje është deputeti socialist Sadri Abazi. Në CV e tij shkruhet që ai është diplomuar nga Akademia IRU, në Gjenevë, në vitin 2002. Por nëse futesh në faqen online të kësaj akademie, aty shikon se në fakt programet e saj janë kurse trajnimi për shoferët e kamionëve. IRU në fakt është shkurtim për “Interneishënëll Roud Junion”. Që do të thotë Unioni Ndërkombëtar i Rrugëve.

Ky union paska edhe atë degë të vetën që quhet akademi dhe që shkruhet “Akademia IRU.

Dora Trajnuese e Unionit Ndërkombëtar të Rrrugëve.
Rritje e shkëlqyer profesionele për shoferët.
Akademia IRU, trajnon me mijëra shoferë dhe operatorë transporti çdo vit për të pasur një siguri më të madhe në rrugë dhe efincensë të qëndrueshme”.

Kaq mjafton për të kuptuar se Sadri Abazi ka bërë vetëm një kurs shoferash në Gjenevë, dhe jo shkollë të lartë.

Ilir Ndraxhi është një deputet tjetër i Partisë Socialiste që në CV e tij deklaron se 10 vitet e para të punës, ai ka qenë një shofer i thjeshtë. Më pas është bërë biznesmen. Ai shkruan se ka arsim të lartë si inxhinier pyjesh, por mesa duket këtë shkollë e ka bërë vetëm pasi i ka hyrë rrugës së politikës. Sepse një person me diplomë në inxhinieri nuk do të punonte 10 vite si shofer i parkut të mallrave.

Rrahman Rrahja, deputet i Partisë Socialiste në rrethin e Krujës, shënon në CV që ka mbaruar shkollën e mesme Bujqësore në vitin 1980. Por, të lartën ai e ka filluar në vitin 2003. Pra 23 vite pas shkollës së mesme. Pikërisht në vitin 2003 ai është bërë edhe krytar i Komunës Nikël. Ndërkohë nuk dihet se me çfarë është marrë zoti Rrahja nga viti 1980 deri në vitin 2003. Ky është babai i Rexhep Rrahjes, djalit që postonte foto në rrjetet sociale me kllashnikov, me makina të shtrenjta dhe që dhunonte fizikisht të dashurën e vet.

Dhe të tillë si Rrahmani ka plot në Kuvend. Në këtë mënyrë është krijuar në Shqipëri kultura e një Parlamenti ku sundon i pasuri dhe i forti, duke injoruar arsimin dhe dijen.

“Ata që janë në Parlament janë ose disa raste të lidhjes së tyre me krimin për të përfaqësuar interesat e veta personale ose ato me krimin, dhe në disa raste të tjera pastaj, janë thjesht aty për të zbatuar vullnetin e kryetarit dhe nuk kanë lidhje realisht të njohin diçka sepse në fund të fundit do ta ngrijnë dorën aty ku japin urdhër kryetari”, thotë Ermal Hasimja, Pedagog.

“Unë di rast që një nga këto deputetë ka blerë diplomën e lartë, ndërkohë që ai s’kishte mbaruar shkollën e mesme”, tha Moikom Zeqo.