Debatet në Kuvend për ministrat e rinj. Opozita bojkoton votimin (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama gjatë votimit të dekreteve në Kuvend. (16 Janar 2019)

Parlamenti është mbledhur sot jashtë radhës për të miratuar ndryshimet në qeveri. Opozita ka kërkuar që dekretet të votohet me debat, rreth 60 deputetë kanë kërkuar fjalën.

Që në nisje të seancës ka pasur debate. Drejtuesit e grupeve parlamentare të opozitës, Edmond Spaho nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI, kërkuan nga kreu i Kuvendit të zhvillohet debat për shkarkimin dhe emërimin e  Ministrave.

“Nuk kemi bërë kërkesë për mënyrën e votimit, por kemi bërë kërkesë që shqyrtimi i dekreteve për ndryshimin e qeverisë bëhet me debat. Kemi paraqitur listën e folësave për çdo grup parlamentar. Mbi bazën e kësaj kërekse kërkojmë të zhvillohet debat sepse na mbështet rregullorja dhe Kushtetuta. Njofto që do të zhvillohet debat për shkarkimin dhe emërimin e  Ministrave”,- tha Spaho.

“Kemi biseduar dhe me stafin tuaj, i cili kërkoi ndryshe nga herët e tjera të depozitoheshin që përpara dhe zyrtarisht lista e diskutantëve. E kemi kryer këtë procedurë. Nuk ka asnjë pikë të vetme të rregullores që ndalon diskutimin dhe debatin. Po prisnim që ju të prezantonit listën e diskutantëve, sikundër rregullorja e kërkon. Kërkoj dhe dua të di arsyet se pse kjo nuk u njoftua nga ana juaj”,- tha Petrit Vasili.

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se në procedurën e Kuvendit përgjatë 29 viteve nuk ka pasur asnjëherë votime të dekreteve të ministrave me debat parlamentar.

Ndryshimet që u votuan

Iiken Arben Ahmetaj, vjen Anila Denaj
Iken Damian Gjiknuri, vjen Belinda Balluku
Iken Mirela Kumbaro, vjen Elva Margariti
Iken Lindita Nikolla, vjen Besa Shahini
Iken Sonila Qato, vjen  Eduard Shalsi
Iken Niko Peleshi, vjen Bledi Çuçi
Iken Senida Mesi, vjen Erion Braçe

Pas kësaj deklarate, Ruçi urdhëroi nisjen e votimit e shkakrimeve dhe emërimeve të ministrave të dekretuar nga Presidenti Ilir Meta. Ndërkohë deputetët e opozitës u ngritën në këmbë dhe bllokuan foltoren, si dhe bojkotuan Kuvendi.

Ndërsa deputetët e PS votonin emrat e ministrave në seancë. Krerët e koalicionit opozitar dolën jashtë sallës së Kuvendit. Kreu i PD-së në një prononcim pëtr mediat paralelisht me punimet parlamentare, deklaroi se ajo që po ndodh në Kuvendin e Shqipërisë, vendi po përballet me veprime diktatoriale të Edi Ramës, i cili kërkon të qeverisë sipas qejfit në shkelje të çdo procedure dhe Kushtetutës “Për herë të parë si në kohën e Enver Hoxhës, edi Rama po mban postin e ministrit të Jashtëm. Kjo është e papranueshme”- deklaroi kryedemokrati Basha në një komunikim me gazetarët jashtë sallës së seancës plenare.

Ndërkohë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se nga sot nis aksioni për rrëzimin e qeverisë “Rama”. “Nuk ka më nevojë dhe as kuptim për bojkot. Vendimi është marrë për të rrëzuar qeverinë. Shumë shpejt do të njiheni dhe me axhendën e opozitës. Opozita nuk do të jetë më zjarrëfikëse”,- tha Monika Kryemadhi.

VIDEO/Debatet dhe votimi në Kuvend

VIDEO/Deklarata e Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi